Please enter at least 3 characters.

Rinia po i humb vlerat, Kosova po e humb rininë

Sa herë që flitet, ose shkruhet për fenomenin e ikjes së rinisë nga Kosova, folësit ose autorët kanë tendenca të veçanta për të fajësuar gjendjen e rëndë ekonomike si elementin kyç që e shkakton këtë fenomen. Mirëpo, ç’është e vërteta, për lindjen e një motivi kaq jo natyral duhet një konflikt i madh ndërmjet vlerave, parimeve, qëndrimeve dhe aspiratave të individit! Lidhja emocionale me vendlindjen është tejet e komplikuar, edhe pse ajo ka bazë në fëmijërinë e hershme, në kohen kur njeriu pasurohet me konstruktet bazë të personalitetit të tij, mirëpo dashuria për atdheun lë përshtypjen se është e natyrshme, gjenetike. Rreth kësaj është thënë shumë, madje shkrimtari ynë rilindës, Naim Frashëri, pat thënë: “Ai njëri që s’ka dashurinë e mëmëdheut dhe të mëmëdhetarëve, është farë kafshe”. Kjo frazë, e kësaj mendje të ndritur, do të jetë maksima mbi të cilën do të grumbullojmë fakte për të argumentuar se humbja e vlerave personale, por edhe e atyre kolektive, mbetet faktor kyç që po ndikon në invazionin e rinisë kosovare në vendet e huaja.

Tanimë jemi mësuar që para ambasadave të ketë tollovi njerëzish, kryesisht të rinjsh. Falsifikatorët e vizave dhe të pasaportave janë njerëzit më te kërkuar ndër ne. Kalimet ilegale të kufijve, martesat e aranzhuara, e të njohura me termin ‘për letra’, divorcet e bashkimet e determinuara mirë, kohë më parë, tradhtitë bashkëshortore, e njëmijë faqe tjera të zeza, të cilat bëhen më të vetmin qëllim, ikjen nga Kosova!

Gjendja ekonomike e dobësuar, padyshim që shpesh shtynë drejt degradencës dhe degjenerimit, në aspektin individual dhe kolektiv, mirëpo konstruktet psikike dhe shpirtërore që kanë koherencë dhe dinamikë mirë të formuar, nuk dorëzohen lehtë as përballë kësaj vështirësie. Hapja e Kosovës, me kulturat e tjera, në vitet e fundit ka shkaktuar fenomenin e “Kalit të Trojës”. Tejet të sinqertë, dhe duarhapur përballë të mirave që sjellin kulturat perëndimore, ne me këtë besnikëri naive, pa asnjë lloj filtri, kemi pranuar çdo gjë që ajo ka sjellë, pa e ndarë të mirën nga e keqja. Kështu që, me një të bardhë i kemi marrë tri të zeza, pa i dalluar ato. Rinisë, të bombarduar nga këto breshëri prurjesh të reja, i është ngjallur një ndjenjë kureshtje për të shijuar të renë, për ta parë dhe pranuar atë. Ndërsa, çdo e re që sillet në një kulturë e zë vendin e një të vjetre, duke e asimiluar atë, dhe duke e humbur përjetësisht. Nuk besoj që ka dikush që mund të jetë kundër integrimit të vlerave të reja, brenda identitetit tonë kombëtar, nëse ato të reja janë në favorin e mirëqenies tonë, pa e cenuar identitetin tonë të kristaltë, mirëpo rreziku kanoset nga antivlerat që po importohen, duke u thirrur në emër të vlerave, mandej po integrohen në identitetin tonë kombëtar.

Me një rini, ku përgjegjësia morale për veten dhe tjerët po zhduket, ku dashuria për Zotin dhe kombin po venitet, ku gjuhët e huaja, pa nevojë, po e zëvendësojnë tonën, ku prindi është vetëm sponsor, ku martesa e divorci janë vetëm një lojë, ku aborti përjetohet si zgjidhje moderne e problemit të shtatzënive të amoralshme, e sa e sa dukuri tjera jonjerëzore, e aq më pak shqiptare po aplikohen, atëherë çka të presim prej kësaj rinie?!
Të njoftuar, e jo rrallëherë të ngarkuar nga këto antivlera, rinia e jonë e sheh Perëndimin si një fushë loje më të përshtatshme. Ajo, asnjëherë nuk brengoset se të qenurit e saj atje ia rrezikon identitetin ose vlerat, përkundër mundësitë që ua afrojnë ato vende, për asimilim, e quajnë demokraci dhe luks jetese! Kosova, në momentin që nuk u ofron atyre komoditet personal, ajo e humbë vlerën dhe meritën për kontribut ndaj sajë, dhe kështu braktiset dhe mbetet jetime.

Rinia e jonë ka nevojë të njoftohet më shumë me rëndësinë e të qenurit vetja, në vendin vet dhe jashtë tij, të njoftohet për përgjegjësinë individuale ndaj vendit dhe kombit të vet. Kjo njohje është e domosdoshme, sepse fenomeni sociologjik i globalizmit, dhe ideja e krijimit të një botë sociale pa kufi, qëndrime e bindje, që na dallojnë dhe mbajnë të distancuar si popuj nga njëri-tjetri, padyshim se më së shumti do t’u kushtojë popujve të vegjël, siç është puna e jonë. Derdhja e një gotë qumështi në det, as që do ta zbardhë e aq me pak do ta heqë atë shijen e njelmët të tij. Ne nuk kemi nevojë të humbim anën tonë subjektive e shpirtërore për ta zënë boten në aspektin e infrastrukturës, sepse me këtë vrap euforik kam frikë se do t’i humbim të dyja.

Pika e vetme me ndikim në përmirësimin e kësaj gjendje mbetet, ngritja e cilësisë së arsimit, dhe promovimi më i madh i vlerave tona kombëtare e fetare. Për shembull, në vend të minutazhit që e marrin serialet e pa vlera, të promovohen këto vlera të mira, të cilat nuk janë të pakta. Kosova sot po kalon në fazën e ndërtimit të shkollave, por të rrënimit të arsimit, të ndërtimit të kishave e xhamive, por të rrënimit të besimit dhe ndërgjegjes, të ndërtimit të rrugëve, por të rrënimit të lidhjeve, të botimit të librave, por të vdekjes së lexuesve, të zgjedhjes së udhëheqësve vendorë, por të humbjes së prijësve kombëtarë, dhe secila nga këto është hallkë në zinxhirin që duhet ta mbajë rininë të lidhur për mëmëdheun e vet. Jo vet krijimi i mundësive materiale do ta mbante rininë të lidhur për atdheun. Duhet krijuar edhe ngrohtësia psikologjike të cilën e ofron vendlindja, e kjo ngrohtësi krijohet vetëm atëherë kur atdheu ka një identitet të veçantë, ka një krenari në vete, dhe një nacionalizëm të arsyeshëm pa influenca të huaja.

Në përfundim të këtij vështrimi të shkurtër të kësaj çështje komplekse, do të thosha se, çdo braktisje e atdheut në kohërat e sotme, përveç asaj për shkollim dhe ngritje akademike, që më vonë do t’i shërbente njerëzimit, e kombit në veçanti, me të drejtë besoj se është tradhti ndaj vendit. Dhe, tradhtia është ves i njerëzve pa vlera, dhe padyshim, me defekte të rënda në formimin e tyre psiko-social.

Autori është bachelor i psikologjisë