E hëna nis me reshje shiu, rrezik për grumbullim uji
Gjatë kësaj jave në vend do të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.
Sipas parashikimeve, reshjet më intensive priten ditën e hënë, lokalisht me intensitet mesatar deri në të lartë, çka mund të shkaktojë vështirësi në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me rrezik për grumbullim uji.
Të hënën moti do të jetë i vranët dhe me shi, ndërsa në viset malore parashihet shi me borë.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 8 gradë.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra për sekondë.
Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar për qytetarët, duke këshilluar shmangien e udhëtimeve të panevojshme gjatë reshjeve intensive, përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës dhe vigjilencë të veçantë në zonat ku mund të ketë mjegull gjatë mesjavës. /Telegrafi/


