Amerikanët godasin anijen e tretë në Gjirin e Omanit


Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) publikoi pamje të operacionit kundër një cisterne të tretë që, sipas saj, kishte shkelur bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo është anija e tretë tregtare e goditur gjatë kësaj jave pas përpjekjeve për të thyer bllokadën amerikane.
Sipas njoftimit të CENTCOM-it, objektivi ishte cisterna M/T Jalveer, e cila lundron nën flamurin e Guinea-Bissau dhe po përpiqej të transportonte naftë nga Irani përmes Gjirit të Omanit.
“Një avion amerikan lëshoi dy raketa Hellfire në hapësirën e motorëve të anijes pasi ekuipazhi refuzoi në mënyrë të përsëritur të zbatonte udhëzimet e forcave amerikane”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it. Si pasojë, anija u nxor jashtë funksionit.
Ky është incidenti i tretë i tillë gjatë javës. Më herët, forcat amerikane kishin neutralizuar cisternat M/T Marivex dhe M/T Settebello, të cilat lundronin nën flamurin e Palaut. Sipas SHBA-së, njëra prej tyre kishte tentuar të hynte në një port iranian, ndërsa tjetra po transportonte naftë iraniane.
CENTCOM bëri të ditur se që nga fillimi i bllokadës më 13 prill, forcat amerikane kanë nxjerrë jashtë funksionit nëntë anije që nuk iu bindën urdhrave, kanë devijuar 135 mjete lundruese që respektuan udhëzimet dhe kanë lejuar kalimin e 42 anijeve që transportonin ndihma humanitare. /Telegrafi/





































