LAJMI I FUNDIT:

Amerika ngurruese

Amerika ngurruese

Këta sheikët arabë koprracë, që notojnë në para, por që i shtrëngojnë fort, kur është fjala për të ndihmuar miliona refugjatë arabë nga Lindja e Mesme! Për këtë nevrikosen komentatorët amerikanë.

Dhe me të drejtë. Ata theksojnë se disa princër të naftës janë përgjegjës për mjerimin, sepse u kanë dhënë miliona luftëtarëve të Shtetit Islamik për të luftuar presidentin sirian Assad. Financierët e luftës nuk duan të kenë të bëjnë me refugjatët, sepse në mesin e tyre mund të ketë edhe terroristë.


Dhe si u ndihmojnë amerikanët miliona të dëbuarve? Uashingtoni deri tani u ka dërguar çeqe vendeve aleate si Jordania, që ata të mund të mbajnë kampet e refugjatëve. Amerika ofron ndihmë humanitare në rajon, por duke lejuar fare pak të përndjekur në vendin e saj. Për të njëjtën arsye si sheikët: Amerika ka frikë të lejojë në vend atentatorë potencialë.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së Kerry ka njoftuar se SHBA do të marrë më shumë refugjatë. Jo menjëherë, por në vitin 2016 dhe 2017. Gjithsesi rreth krizës së refugjatëve nuk flasin shumë në Shtetet e Bashkuara. Fushata zgjedhore presidenciale ka ndikimin e saj dhe pranimi i mijëra të përndjekurve nga Shtetet Arabe është i papëlqyeshëm në popull. Kështu që shumë politikanë i rrinë larg kësaj teme. Kush flet me kongresmenë dhe u përmend bashkëpërgjegjësinë e Shteteve të Bashkuara për kaosin në Lindjen e Mesme, prek një nerv të ndjeshëm. Ato i bëjnë bishte bisedës.

Gjë e mirë që administrata Obama nuk do të mbyllë sytë para problemit. Ditët e ardhshme ajo do të nisë një tjetër përpjekje për të mbyllur burgun e Guantanamos, këtë relike dhe simbol të politikës së ndërhyrjes amerikane.

Ende në "Gitmo" ka të 115 të burgosur; gati gjysma nuk kanë bërë asnjë krim. Administrata kërkon shtete, që mund të pranojnë të paktën të burgosurit e pafajshëm. Por çfarë kanë të bëjnë me këta njerëz vende si Uruguaj apo Shqipëria, që strehojnë me kërkesën e Uashingtonit ish-të burgosur të Guantanamos? Përse ato nuk qëndrojnë në SHBA?

Edhe këtu luan një rol fushata zgjedhore në Amerikë. Asnjë deputet, i cili dëshiron të rizgjidhet, nuk flet në zonën e tij elektorale për transferimin e të burgosurve. Votuesit e tij kanë frikë nga hakmarrja e të burgosurve. Frika është një këshilltar i keq, si në mbylljen e Guantanamos, ashtu edhe në pranimin e të përndjekurve nga Siria.

Kerry ka të drejtë: SHBA duhet të përqendrohet në pikat e forta të saj. Dekada me radhë Amerika ka pranuar refugjatë nga e gjithë bota. Ajo ka qenë shpesh streha e fundit për të varfrit dhe të përndjekurit. Ne gjermanët kemi mësuar nga ky model.