LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori shqiptar flet në Këshillin e Sigurimit për konfliktin Rusi-Ukrainë: Një vend sovran nuk merr vendime nën kërcënimin e armëve

Ambasadori shqiptar flet në Këshillin e Sigurimit për konfliktin Rusi-Ukrainë: Një vend sovran nuk merr vendime nën kërcënimin e armëve

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, tha se lëvizjet e trupave ushtarake të Rusisë rreth Ukrainës janë tepër shqetësuese. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Ukrainës.

“Këto lëvizje te trupave ruse kanë shkaktuar shqetësim, sidomos për ne në Europë. Zhvillimet e fundit në kufi janë të përsëritura. I kemi parë në Gjeorgji më parë, me kosto në jetë njerëzish. Rusia mund të luajë një rol më të mirë për ta bërë botën më të sigurt. Por po bën të kundërtën”, tha Hoxha në fjalën e tij.


“Vendet janë dhe duhet të jenë të lira t’i bashkohen kujtdo organizate që duan. Vendet sovrane marrin vendime me vullnet të lirë, jo nën kërcënimin e armëve. Shqipëria beson se kjo krizë duhet të zgjidhet përmes bisedimeve. Të gjithë duhet të mbajmë në vëmendje që kriza ka impakt në të gjithë Europën”, raporton A2 CNN.

Në selinë e OKB-së në Nju-Jork, po zhvillohet një mbledhje e hapur për publikun, lidhur me atë që po ndodh në Ukrainë. Rusia akuzohet se po planifikon pushtimin e vendit, ndërsa Moska i hedh poshtë akuzat, por kërkon garanci që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.

Përgjatë 2 viteve të ardhshme, Shqipëria do të jetë pjesë, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Fjala e plotë ambasadorit shqiptar Ferit Hoxha në mbledhjen e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare:

Faleminderit, zonja. Presidente, për thirrjen e kësaj mbledhje të hapur dhe faleminderit Nënsekretares së Përgjithshme DiCarlo për raportin. Zonja Presidente, Përgjegjësia kryesore e Këshillit të Sigurimit është të ruajë paqen dhe sigurinë me synimin për të parandaluar konfliktet në botë. Këtu kemi argumentuar disa herë se në aspektin e parandalimit, Këshilli ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Këshilli është mbledhur shumë herë për të diskutuar situatën në Ukrainë që nga fillimi i agresionit në 2014. Dhe ja ku jemi sërish sot.

Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me grumbullimin e forcave ushtarake të Rusisë pranë Ukrainës në muajt e fundit. Dhjetra batalione janë zhvendosur tashmë në kufirin ukrainas, trupat ushtarake po dërgohen nga pjesa lindore në atë perëndimore të Rusisë. Këtu përfshihen forcat e rënda luftarake, tanket, sistemi i mbrojtjes ajrore të artilerisë dhe raketat balistike. Disa mijëra trupa ruse janë dërguar gjithashtu në Bjellorusi. Kjo lëvizje e trupave dhe armëve është shumë shqetësuese, ka shkaktuar ankth dhe frikë tek njerëzit në Ukrainë, dhe me të drejtë, shqetësime serioze ndërkombëtare, veçanërisht për ne, në Evropë.

Zonja. Presidente, më lejoni të rikonfirmoj mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Te dashur kolegë, në vitin 1994, 27 vjet më parë, Ukraina mori garanci sigurie përmes Memorandumit të Budapestit, ku Rusia, së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, u zotuan, “të respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës”, në këmbim të heqjes dorë nga arsenali i saj bërthamor. Nënshkruesit riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të kërkuar veprime të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar ndihmë për Ukrainën, nëse ajo bëhet viktimë e një akti agresioni. Ne i bëjmë thirrje Rusisë dhe Këshillit të konfirmojnë shprehimisht respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Zonja.Presidente, do të ishte gabim të konsiderohej kërcënimi i një sulmi ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës si një krizë tjetër mes Rusisë dhe Perëndimit. Kjo është një sfidë për Rendin Evropian të Sigurisë dhe për të gjithë arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë, e cila bazohet në Kartën e OKB-së. Është një fyerje ndaj Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe Dekalogut të tij mbi të cilin është themeluar OSBE-ja dhe ku Rusia është gjithashtu pjesë.

Këto zhvillime të fundit në kufirin ruso-ukrainas janë një lojë e mirënjohur. E kemi parë atë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në mënyrë të përsëritur që nga viti 2014, për fat të keq me koston e mijëra jetëve – civilë dhe ushtarakë. Rusia ka përdorur dhunën ushtarake si mjet për të arritur qëllimet e saj politike dhe gjeopolitike.

Rusia është një vend i madh dhe ka një rol për të luajtur në gjeopolitikën evropiane dhe botërore. Mund të luajë një rol të rëndësishëm për ta bërë botën një vend më të mirë dhe më të sigurt. Fatkeqësisht, po bën të kundërtën. Përshkrimet e sferave të influencës në Evropë apo diktimi me kërcënime i orientimit gjeostrategjik të vendeve të tjera janë vegla të një shekulli tjetër, të një kohe tjetër, reminishenca të Luftës së Ftohtë. Vendet janë dhe duhet të jenë të lira të anëtarësohen në cilëndo organizatë që duan, qoftë NATO, Bashkimi Evropian, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive apo Organizata Rajonale Ndërqeveritare. Vendet sovrane i marrin vendimet me vullnetin e tyre të lirë, jo nën kërcënimin e armës.

Çfarë mund të përfitohet nga një konflikt i mundshëm për të cilin të gjithë parashikojnë pasoja katastrofike? Çfarë mund të justifikojë humbjen e mijëra jetëve, shkatërrimin në masë, ndërprerjen e marrëdhënieve, tensionin e vazhdueshëm, duke përfshirë, siç është bërë e qartë vazhdimisht, pasoja të rënda për vetë Rusinë? Asnjë vend tjetër nuk di më shumë për luftën dhe pasojat e saj katastrofike sesa kjo dhomë. Prandaj, ne duhet të jemi në gjendje të shohim më larg dhe të kërkojmë mjete të tjera për të adresuar çështjet, sado komplekse që janë ose duken të jenë.

Shqipëria beson se kjo krizë mund dhe duhet të zgjidhet me bisedime dhe diskutime. Gjetja e zgjidhjes përmes negociatave ishte fokusi ynë parësor gjatë Kryesimit të OSBE-së, në vitin 2020. E njëjta gjë mbetet edhe tani në Këshill.

Ka disa mekanizma për t’u përdorur përmes përpjekjeve diplomatike. Nevojiten hapa konkretë drejt çtensionimit, duke hapur rrugën drejt bisedimeve në përpjekjet për të kërkuar zgjidhje. Përpjekje të tilla duhet të bëhen me mirëbesim dhe jo në një klimë retorikë përshkallëzuese. Rifillimi i takimeve të formatit Normandi javën e kaluar në Paris ishte hapi i duhur dhe shpresojmë që ky proces të vazhdojë.

Zonja Presidente, të gjithë duhet të kemi parasysh se kriza në dhe rreth Ukrainës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë Evropën.

Instrumentalizimi i pakicave etnike, sulmet kibernetike të qëllimta, ndërhyrjet politike aty-këtu për përfitime politike dhe tendenca në rritje e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës, të gjitha këto janë akte që çojnë në destabilizim, krijojnë tension, duhet të jenë dhe duhet të trajtohen si kërcënim për paqen dhe sigurinë, sepse kështu janë.

Prandaj, ne e konsiderojmë të një rëndësie të madhe të përpiqemi për parandalimin dhe shpresoj se kjo mbledhje do të jetë pjesë e përpjekjeve të tilla të vërteta. Faleminderit!

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori