Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew G. Whitaker, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i ndjekin zhvillimet në Serbi dhe në entitetin e Republika Srpska me vëmendje të veçantë, duke theksuar se qëllimi kryesor është parandalimi i çdo skenari që mund të përshkallëzohet në një konflikt rajonal.

"Po e monitorojmë shumë nga afër gjithçka që po ndodh si në Republika Srpska ashtu edhe në Serbi. Fokusi ynë aktual është të sigurohemi që situata të mos përshkallëzohet në një konflikt të mundshëm rajonal. Në të njëjtën kohë, ky është një vend tjetër ku po përpiqemi të sigurohemi që aleatët tanë të NATO-s janë të gatshëm dhe të aftë të ofrojnë forca sigurie ose presion politik për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor", ka thënë Whitaker.


Sipas Klix.ba, përcjell Telegrafi, ai theksoi se stabiliteti i rajonit mbetet një qëllim i rëndësishëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët kanë detyrimin të veprojnë së bashku në situata krize.

Ndërsa kur u pyet nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump mund të takohej me Aleksandar Vuçiqin ose Milorad Dodikun, ambasadori Whitaker theksoi se nuk kishte njoftime për takime të tilla, por se ato mund të diskutoheshin nëse do të kishte një përfitim të qartë për paqen dhe stabilitetin.

Ai shtoi se nëse Trump do të vendoste të takohej me Vuçiqin ose Dodikun, ai nuk do ta bënte këtë për të ndihmuar dikë të forcojë pozicionin e tij politik.

Whitaker e përshkroi Trumpin si një "tregtar dhe paqebërës", politikat e të cilit përqendrohen në rezultate dhe krijimin e mundësive për përparim.

"Nëse ka një mundësi për të çuar përpara vlerat dhe interesat amerikane, atëherë ai mund të bjerë dakord për një takim. Por përsëri, unë nuk jam këtu për të njoftuar ndonjë takim të ardhshëm as me udhëheqjen serbe dhe as me përfaqësuesit e Republika Srpska", përfundoi ai. /Telegrafi/