LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori Kosnett premton mbështetje për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Ambasadori Kosnett premton mbështetje për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Bajrami e informoi Kosnettin rreth aktiviteteve të Ministrisë së Financave sa i përket menaxhimit të financave publike dhe projekteve tjera të rëndësishme në funksion të ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal në vendin tonë.


Ajo foli për procesin e rishikimit të buxhetit të Kosovës, i cili është në fazën përfundimtare dhe që së shpejti do të dërgohet për aprovim në Qeveri e pastaj në Kuvend.

Bajrami vuri në pah se buxheti i rishikuar do të mbulojë financimin e plotë të Pakos Emergjente Fiskale dhe do të përfshijë financimin e një programi të rëndësishëm për rimëkëmbje ekonomike si përgjigje ndaj dëmeve ekonomike e financiare të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ambasadori Kosnett shprehu gatishmërinë e ambasadës amerikane për të mbështetur Ministrinë e Financave në avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike, fuqizimin e institucioneve dhe progresin e përgjithshëm të Kosovës. /Telegrafi/