Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert ka thënë se Asociacioni komunave me shumicë serbe do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe do të veprojë në konsultim me autoritetet e Prishtinës.
Chabert në një intervistë për KosovaPress po ashtu tha se ushtria është një e drejtë e Kosovës si shtet sovran, duke vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është çështje për të cilën duhet të tregohet pjekuri, përgjegjësi dhe një frymë kompromisi.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash një çështje për të dy vendet, të cilat duhet të tregojnë pjekuri, përgjegjësi dhe një frymë kompromisi. Ne duhet të jemi të përgatitur për faktin se pavarësisht nga marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve , negociuar në kuadër të dialogut, nuk do të ketë unanimitet as në popullatë dhe as në klasën politike, në Beograd apo Prishtinë. Secila palë duhet të ketë bërë kompromis në pika shumë të ndjeshme për opinionin e tyre publik në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Bashkimi Evropian po ndihmon në përparimin në këto negociata nëpërmjet lehtësimit të tyre dhe mbështetjes materiale shumë të rëndësishme. Ky është një proces që Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbështesin dhe inkurajojnë. Kjo është e rëndësishme sepse Shtetet e Bashkuara zënë vend jetësor në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe Ballkanit”, ka vlerësuar ai.
Chabert shtoi se varet nga autoritetet e Kosovës që të përcaktojnë se si duhet të organizohet dialogu me Serbinë dhe përbërja e delegacionit brenda vendit. Ai ka thënë se është shumë pozitive që Presidenti dhe Kryeministri kanë rënë dakord për krijimin e një mekanizmi negociues gjithëpërfshirës në Kosovë. Ambasadori komentoi edhe arrestimin dhe deportimin e së ashtuquajturës Zyra e Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq, veprim ky i cili ndryshoi formulën e ekzekutivit- me daljen e Listës Serbe- së paku deklarativisht nga qeveria.
“Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje më qëllim të përcaktimit të modaliteteve për mundësimin e lëvizjes së autoriteteve serbe në territorin e Kosovës. Këto marrëveshje duhet të respektohen, por edhe të zbatohen me përpikëri nga të dyja anët, duke shmangur ndonjë provokim ose mbingarkim. Është e rëndësishme që Lista Serbe të jetë aktive dhe e pranishme në qeveri, është interesi i të gjithëve, përfshirë edhe serbët e Kosovës. Kjo gjithashtu është ne frymën e kushtetutës”, u shpreh ai për KosovaPress.
Chabert është përgjigjur edhe rreth rastit të deportimit të turqve.
“Pozicioni i Francës për çështjet e të drejtave të njeriut është krejtësisht i qartë dhe të drejtat duhet gjithmonë të respektohen plotësisht, në çfarëdo vendi dhe çfarëdo rrethane. Kjo sigurisht është veçanërisht e rëndësishme për vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Nuk është një zgjedhje që duhet bërë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, por parimeve universale pjesë e Kartës e Kombeve të Bashkuara. Çdokush, pavarësisht nga origjina dhe mendimet e tij, duhet të ketë të drejtën e mbrojtjes me ligj dhe gjyqtar”, u shprehet tutje ambasadori francez.
Duke mos lënë anash marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, që pas tri vitesh zvarritje gjeti miratim nga deputetët e Kosovës, Didier Chabert e sheh këtë si një hap të rëndësishëm që duhet të mirëpritet.
“Ky është një hap përpara, së pari në marrëdhëniet mes dy vendeve, pastaj për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Sa i përket kësaj dhe në kuadër të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian do të kryejë së shpejti një vlerësim të plotë dhe rigoroz të progresit të bërë nga Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më pas, qeveria kosovare do t’i dorëzojë misionit evropian një raport i cili do të përmbajë përparimin konkret në këtë luftë. Nëse vlerësimi është pozitiv, Komisioni Evropian do të përgatisë një projekt propozim për liberalizimin e vizave, i cili mund të paraqitet në Këshill në gjysmën e dytë të këtij viti”, tha ai.
Kosovën e presin edhe dy çështje mjaft të rëndësishme: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe Gjykata Speciale.
“Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës është paraparë në planin e Ahtisaarit. Ai ka qenë gjithashtu subjekt i dy marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në vitin 2013 dhe 2015. Këto marrëveshje parashikojnë se statuti i Asociacionit do të hartohet sipas ligjeve të Kosovës dhe do t’i dorëzohet nën kontroll të Gjykatës Kushtetuese. Ky asociacion, krijimi i së cilit është një pikë e rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës, mund të veprojë vetëm në konsultim me institucionet e Prishtinës dhe jo kundër tyre. Sa i përket Gjykatës Speciale, është çështje e hetimit të fakteve kriminale që mund të jenë kryer në Kosovë nga individë dhe jo nga institucione. Duhet treguar mbështetje për viktimat, dhe institucionet e Kosovës, sigurisht, do të ndihmojnë në përcaktimin e fakteve dhe në dhënien e drejtësisë për ata që kanë vuajtur”, shprehet ambasadori francez. Tjetër temë e ndjeshme mbetet krijimi i Forcave të Armatosura (FAK), për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri- për këtë nevojiten edhe votat e deputetëve serbë. Ambasadori i Francës vlerëson se Kosova gëzon të drejtën e një force të armatosur. “Kosova ka të drejtë të ketë një forcë të armatosur sepse është një vend plotësisht sovran dhe i pavarur. Ajo dëshiron të afrohet me NATO-n dhe një ditë t’i bashkohet Aleancës Atlantike. Prandaj është e rëndësishme që transformimi i FSK-së të bëhet në koordinim me NATO-n dhe vendet mike të Kosovës. Meqenëse ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga anëtarësia e tyre në komunitet, është e dëshirueshme që rruga kushtetuese te favorizohet sa më shumë që të jetë e mundur”, ka komentuar Chabert. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Ligji për nënat surrogato në Shqipëri, Shehu: I shtyrë nga grupet kriminale, nëse miratohet do të pasohet nga ligji i martesave homoseksuale
Siljanovska fitoi në 60 komuna, Pendarovski në tre, Osmani në 15, Taravari në dy
Sërish s’ka kuorum për marrëveshjet ndërkombëtare, opozita lëshon sallën
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – njëra ka të bëjë me Guardiolën