LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori francez mirëpret vendimin për heqjen e vizave për Kosovën

Ambasadori francez mirëpret vendimin për heqjen e vizave për Kosovën

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Parlamentit të Evropës (PE) për heqjen e vizave për Kosovën.

Guerot, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se pikërisht në bazë të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Macron është pajtuar për liberalizimin e vizave verën e kaluar.


“Shumë mirë për popullin e Republikës së Kosovës. Pikërisht në bazë të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Macron u pajtua për liberalizimin e vizave verën e kaluar”, ka shkruar ambasadori Guerot, transmeton Telegrafi.

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Finale - Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari 2024 udhëtojmë pa viza 
Lexo po ashtu Finale - Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari 2024 udhëtojmë pa viza 

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. /Telegrafi/