LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori Amerikan viziton ICK-në në Javën Globale të Ndërmarrësisë

Ambasadori Amerikan viziton ICK-në në Javën Globale të Ndërmarrësisë

“Ju nuk jeni e ardhmja e Kosovës. Ju jeni e tashmja!”, ishin fjalët e Ambasadorit Philip Kosnett, gjatë vizitës në Innovation Centre Kosovo dhe takimit me ndërmarrësit e rinj, përfaqësues të sektorit të TIK dhe bizneset startup, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë (GEW).

Në 180 shtete të botës, prej 18-24 Nëntor po shënohet Java Globale e Ndërmarrësisë, e cila për qëllim ka promovimin e ndërmarrësisë, bizneseve startup, gjithëpërfshierjes, edukimit dhe modeleve të mira të politikë-bërjes.

Në edicionin e shtatë, 55 partnerë nga Kosova po e shënojnë GEW me 82 aktivitete në qytete të ndryshme. Gjatë ditës së katërt të Javës, Ambasadori Amerikan Philip Kosnett vizitoi Innovation Centre Kosovo (ICK) për tu takuar me ndërmarrësit e rinj, përfaqësues të komunitetit dhe bizneset startup.

“Ju nuk jeni e ardhmja e Kosovës. Ju jeni e tashmja!”, ishin fjalët e tij drejtuar të pranishmëve.  Kosnett shtoi se Qeveria e arrdhshme duhet të bëjë më shumë për sektorin privat, si dhe Kosova e ka rastin që si një vend të vogël të shndërrohet në Estoninë, Izraelin apo Singaporin e arrdhshëm, duke avancuar zhvillimin e edukimit dhe ndërmarrësisë.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së dhe nikoqir i GEW për Kosovë u shpreh i nderuar me vizitën dhe përkushtimin e shteteve mike si SHBA-të për promovimin e ndërrmarrësisë, bizneseve startup dhe potencialit të të rinjëve të Kosovës.

“Vizita e Ambasadorit Kosnett përgjatë Javës Globalë të Ndëmarrësisë është inkurajim për punën që po bëjmë si komunitet i inovacionit dhe ndërmarrësisë. Biseduam shtruar mbi sfidat e ndërmarrësve ne Kosovë, por gjithsesi edhe mbi ato mundësi që ne kemi si ekosistem i ndërmarrësisë për të avancuar zhvillimin ekonomik përmes energjive të reja. Në këtë aspekt, u cek nevojë për mbështetje më të fuqishme institucionale dhe bashkëpunim i ngushtë me Qeverinë e re të
Kosovës”, deklaroi Begu.

GEW 2019 në Kosovë mbështetet nga Ambasada e Suedisë, GIZ, Ambasada e Norvegjisë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, GIST dhe Coca-Cola.

Java Globale e Ndërmarrësisë si lëvizje ka nisur në SHBA nga Kafmann Foundation, dhe ishte përkrahur edhe nga ish-Presidenti Amerikan Barack Obama dhe ish-Kryeministri Britanik Gordon Brown. /Telegrafi/