LAJMI I FUNDIT:

Amazon pret që mungesa e fuqisë punëtore dhe problemet me furnizim t’i kushtojnë miliarda dollarë

Amazon pret që mungesa e fuqisë punëtore dhe problemet me furnizim t’i kushtojnë miliarda dollarë

Kompania Amazon ka deklaruar se pret që problemet e zinxhirit të furnizimit.

Kostot më të larta të transportit dhe mungesa e fuqisë punëtore t’i kushtojnë kompanisë miliarda dollarë nga ky tetor deri në dhjetor.


“Në tremujorin e katërt presim të kemi kosto shtesë disa miliarda dollarëshe në biznesin tonë derisa ia dalim mbanë përmes mungesës së furnizimit me fuqi punëtore, rritjes së kostove të pagave, problemit global të zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së kostove të transportit të mallrave”, njofton Amazon në raportin e fundit financiar.

Gjiganti i tregtisë elektronike tha se gjatë sezonit të festave të këtij viti në SHBA do të marrë masa për të minimizuar ndikimin e problemeve te klientët dhe partnerët shitës të kompanisë.

“Do të jetë e shtrenjtë për ne në afat të shkurtër”, tha kompania.

Rezultatet financiare të tremujorit të tretë në Amazon po ashtu rezultuan të dobëta, pasi të ardhurat neto shënuan rënie dhe të ardhurat humbën pritjet e tregut.

Të ardhurat neto në periudhën korrik-shtator ishin pak mbi 3.15 miliardë dollarë, respektivisht shifër e përgjysmuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur u regjistruan mbi 6.33 miliardë dollarë të ardhura neto.

Shitjet neto në baza vjetore shënuan rritje për 15 për qind, duke arritur në 110.8 miliardë dollarë nga 96.1 miliardë dollarë. Megjithatë, pritshmëria e tregut ishte 111.6 miliardë dollarë për tremujorin e tretë.

Kompania tha se vlerëson që në tremujorin e katërt të këtij viti shitjet neto të jenë midis 130-140 miliardë dollarë apo do të rriten nga 4 për qind deri në 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Derisa problemet e zinxhirit të furnizimit, kostot më të larta të transportit dhe mungesa e fuqisë punëtore vazhdojnë të mbizotërojnë tregtinë globale, inflacioni vazhdon të rritet në mbarë botën.

Më 23 tetor, shefi ekzekutiv dhe bashkë-themeluesi i rrjetit social Twitter, Jack Dorsey shkroi në median sociale se “hiper-inflacioni do të ndryshojë gjithçka dhe se “kjo po ndodh”.

Në përgjigje të një përdoruesi, ai u përgjigj se, “kjo do të ndodhë së shpejti në SHBA dhe kështu edhe në botë”. /Telegrafi/