LAJMI I FUNDIT:

Alfred Trebicka për kurajon e të paaftit

Alfred Trebicka për kurajon e të paaftit

Në emisionin “Provokacija” me Mustafa Nanon, aktori i njohur Alfred Trebicka ka folur për situatën në të cilën është përfshirë kinemaja në Shqipëri. Ai u shpreh se kinemaja është art kompleks që kërkon jo vetëm arsimim specifik, por edhe njohje me fushat tjera që kanë lidhje direkte ose jo me artin.

Sa i përket kritikës për filmin “ I Love Tropoja”, ai u shpreh se nuk është thelbi i diskutimit përplasja me aktorët, por ngritja e një shqetësimi.


“Ajo që shoh është se ka një lloj diletantizmi që masakron çdo lloj principi që ka kinemaja. Kinemaja nuk ka lidhje fare me televizionin si koncept. Mos të thonë që po bëjnë kinema. Pra, shqetësimi im është se kjo lloj kinemaje që po servirin ekstremisht komerciale, ka dëme të mëdha”, u shpreh Trebicka.

Ai foli për problemet e filmave që sipas tij kanë defekte të tmerrshme kinematografike: “Është një proces i cili kërkon formimin profesional të këtij profili. Nuk është aq e thjeshtë të bëhet skenar. Është një virus për të cilin duhet të vaksinohemi shumë shpejt. Kam parë statuse nga njerëz që kanë qenë pjesë e produksioneve të cilët kanë trumbetuar se kjo është e ardhmja e kinematografisë shqiptare. Të gjitha këto publiku i merr si të mirëqena. Reagimi im ka ardhur si rrjedhojë e këtij terreni. Kujt po i vendosim tagrin e kineastit”!

Më tej ai u shpreh se kjo kategori nuk njeh ligjet bazike të kinemasë.

“Këta çunat kanë kurajon e të paaftit ose kurajon e amatorit”, tha Trebicka. “Sukses për çfarë? Ky është një fenomen kompleks që ka të bëjë edhe me shoqërinë. Një njeri që ka lexuar disa libra të mirë nuk shkon aty. Thuaj kam bërë një gjë për t’u zgërdhirë, gjej çfarë emri të duash, por mos thuaj që po bëj kinema. Edhe pjesëmarrja e kryeministrit është 100 për qind komerc, pra nuk është film. Nuk kam thënë që jam kundër, por për mua si njeri që e njoh këtë fushë është një shqetësim sepse ne po i largohemi kinemasë së vërtetë… Një film i tillë është biznes jo kinema, e ‘kineastët’ e rinj duhet ta pranojnë. Duhet gjetur emri kësaj shfaqje, por jo kinema”. /ABC/