Policia e Kosovës ka reaguar me urgjencë pas marrjes së një informacioni për një mjet të dyshuar pranë një pompe derivatesh në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se rreth orës 16:00 është pranuar njoftimi për një automjet të parkuar, i cili ka ngritur dyshime te qytetarët.


“Rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshuar në rrugën Prishtinë - Fushë Kosovë, saktësisht në një automjet të parkuar në afërsi të një pompe të derivateve,” ka deklaruar Ahmeti për media.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën për të siguruar perimetrin dhe për të ndërmarrë masat operative të nevojshme.

Deri në momentin e fundit nuk janë dhënë detaje shtesë mbi natyrën e mjetit apo ndonjë rrezik konkret.

Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunim nga qytetarët dhe të qëndrojnë larg zonës deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe të sigurisë.