Akuza është ngritur kundër Predrag Strugar, Momilo Barjaktaroviq, Petar Labudoviq, Aca Knezheviq, Branisllav Radniq, Boro Novakoviq, Miro Bojoviq dhe Radomir Gjurashkoviq, ka bërë të ditur Prokuroria e Gjykatës Supreme të Malit të Zi.
 
Këta persona akuzohen se, më 19 prill të vitit 1999, në afërsi të Rozhajës, duke vepruar në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, kanë kryer krime lufte kundër 23 civilëve shqiptarë, që nuk kanë marrë drejtpërdrejt pjesë në vepra armiqësore.
 
Strugar akuzohet se në periudhën, 18 prill – 21 maj, të vitit 1999, në territorin e Komunës së Rozhajës, e cila ka qenë në zonën e përgjegjësisë së tij, ka urdhëruar vrasjen e banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar, që kishin ardhur në Mal të Zi duke ikur nga lufta në Kosovë.
 
Prokuroria ka urdhëruar burgim për këta tetë persona, kanë njoftuar mediat malaziase. /Telegrafi/