LAJMI I FUNDIT:

Aktorët e Prishtinës kërkojnë “edhe” një teatër të qytetit!

Aktorët e Prishtinës kërkojnë “edhe” një teatër të qytetit!

Sipas statutit të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, “Dodona” është Teatër i Qytetit të Prishtinës. Por, disa aktorë të Prishtinës, që u mblodhën në këtë objektet e këtij teatri, përmes një deklarate shprehen se diskutuan për gjendjen e rëndë të tyre, si dhe për “krijimin e një teatri të qytetit”.

Sipas tyre, Prishtina është “kryeqyteti i vetëm pa teatër të qytetit dhe pa trupë rezidente”. Ndaj, caktuan një grup që e quajtën “Bordi Drejtues i Artistëve të Prishtinës”, pjesë e të cilit janë Naser Rafuna, Fidan Jupolli, Xhejlane Tërbunja, Dardan Gashi dhe Molikë Maxhuni. Sipas kumtesës, thuhet se në ditët në vijim këta do t’i drejtohen Komunës së Prishtinës “me kërkesat dhe propozimet për teatrin e qytetit”!


Në teatrin “Dodona” qëmoti funksionon skena e për fëmijë dhe e mbrëmjes (për të rritur). Neni 7 i Statutit, i miratuar më 2013, për veprimtarinë e Teatrit të Qytetit të Prishtinës specifikon: a) përgatitja e shfaqjeve teatrore për fëmijë, të rinj dhe të rritur; b) përgatitja e shfaqjeve me kukulla për të vegjlit.

Përkundër premtimeve dhe kërkesave të shumta ndër vite – të drejtuara nga menaxhmenti i “Dodonës” – për skenën e mbrëmjes ende nuk ka trupë rezidence, e as nuk është plotësuar ansambli i trupës për shfaqjet me kukulla. Po ashtu, nuk janë realizuar premtimet për objektin e ri, në një lokacion tjetër, e as buxheti që do ta lehtësonte funksionimin e këtij teatri. /Telegrafi/