eksperti ad

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj dy inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët dyshohen se kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh në këmbim të mosveprimit sipas detyrave të tyre zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda ndaj të pandehurve me inicialet D.N. dhe E.Q.


Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë – inspektorë të ATK-së, në dy raste të ndryshme gjatë vitit 2022 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëveprim, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.

Sipas Prokurorisë, në të dy rastet ata kanë kërkuar dhe pranuar nga 300 euro, përkatësisht 300 euro për secilin rast.

Me këto veprime, D.N. dhe E.Q. ngarkohen se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë.