LAJMI I FUNDIT:

A po jep AKR sinjale se mund t’i bashkangjitet Vetëvendosjes në qeverisje?

A po jep AKR sinjale se mund t’i bashkangjitet Vetëvendosjes në qeverisje?

Ndonëse ende nuk dihet rezultati i kandidatëve të AKR-së në listën zgjedhore të LDK-së, nga partia e Behgjet Pacollit vijnë sinjale se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e qeverisë së ardhshme.

Naim Murseli, këshilltar politik i Behgjet Pacollit, ka thënë se AKR mbetet një parti konstruktive duke mos kontribuar asnjëherë në bllokadën e institucioneve të shtetit, transmeton Telegrafi.


“Vullneti i qytetarëve duhet dhe do të respektohet. Sot, Kryetari i AKR-së z. Behgjet Pacolli uroi fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. AKR është dhe mbetet një parti konstruktive, duke mos kontribuar asnjëherë në bllokadën e institucioneve të shtetit. Ashtu do të veprojmë çdo herë. Qytetarët e Kosovës duan të shohin një të ardhme më të ndritur, dhe është obligim i secilit të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.

Theksojmë se në zgjedhjet parlamentare AKR ka qenë pjesë e listës zgjedhore së LDK-së, kjo e fundit sipas rezultateve të deritanishme është radhitur partia e tretë, rezultate që janë cilësuar të dobëta krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019. /Telegrafi/