LAJMI I FUNDIT:

AKB: Qeveria ta plotësoj të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë

AKB: Qeveria ta plotësoj të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) në një konferencë ka paraqitur shqetësimet lidhur me mos funksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime dhe sipas AKB-së, komuniteti i biznesit që nga viti 2013 po e përjeton dëme dhe padrejtësi.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se “bazuar në kontaktet e përditshme me pronaret e bizneseve të cilët në vazhdimësi shprehin dhe paraqesin vërejtjet e tyre në efikasitetin dhe profesionalizmin e Divizionit Fiskal pranë Gjykatës Themelore, si dhe të Gjykatës së Apelit, si dhe bazuar në kërkesën e vazhdueshme për kthimin e mandatit ligjor të ish-Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, i cili si organ administrativ i shkallës së dytë është marrë me shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave kundër vendimeve të ATK-së dhe të Doganës së Kosovë që janë parashtruara deri me 30 nëntor 2012”.


“Duke parë neglizhencën dhe hezitimin e vazhduar të institucioneve vendimmarrëse për inicimin e procedurës ligjore për ri-themelimin e këtij Bordi, me arsyetim se kundër është Komisioni Evropian, AKB-ja si rezultat i presionit të komunitetit të biznesit kosovar rifreskon kërkesën drejtuar këtyre institucioneve për domosdoshmërinë e ri-themelimit të ish BPR-së”, vijoi Shahini.

Ai potencoi se Qeveria ta plotësoj të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë dhe mungesa e sigurisë juridike po i frikëson investitorët vendor dhe të huaj, kurse Qeveria duhet ta plotësoj këtë të drejtë të mohuar padrejtësisht për komunitetin e Biznesit.

Ndërsa, nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha, prezantoi raportin e Komisionit Evropian ku e kanë vlerësuar punën e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime si efikas, të paanshëm dhe profesionalë.

Ai potencoi se nga koha kur ky Bord nuk është funksional ATK dhe Dogana e Kosovës kanë rrit shkallën e padrejtësisë ndaj bizneseve dhe Bizneset nuk kanë ku të ankohen, sepse e vetmja e drejtë e tyre për ankimim në shkallën e parë është ATK-Dogana e Kosovës dhe në Departamentin Fiskal-Gjykatën Themelore ku këto lëndë presin trajtim me vite të tëra.

Në fund, Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, prezantoi 14 pikat që arsyeton kërkesën e drejtë të komunitetit të biznesit për rithemelim të Bordit të Pavarur për Rishqyrtime. /Telegrafi/