LAJMI I FUNDIT:

“Ai më do të vdekur,… deshi të vriste Mbretin me ‘unazë helmuese’”: Ish numri dy në inteligjencën saudite vjen me deklarata të fuqishme për Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman

“Ai më do të vdekur,… deshi të vriste Mbretin me ‘unazë helmuese’”: Ish numri dy në inteligjencën saudite vjen me deklarata të fuqishme për Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman

Një ish-oficer i lartë i inteligjencës saudite ka pohuar se princi i kurorës Mohammed bin Salman është një “psikopat pa ndjeshmëri” i cili dikur mburrej se mund të vriste sundimtarin e mbretërisë në atë kohë, Mbretin Abdullah, dhe ta zëvendësonte atë me babanë e tij.

Siç shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi, Saad Aljabri – në një intervistë për një televizion amerikan – i cili u largua nga Arabia Saudite në maj të vitit 2017 dhe jeton në mërgim në Kanada, tha gjithashtu se ishte paralajmëruar nga një bashkëpunëtor në vitin 2018, pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, se një skuadër goditëse saudite po shkonte në Kanada për ta vrarë.


Aljabri tha për 60 Minutes në CBS se ai ishte paralajmëruar “mos jini në afërsi të ndonjë misioni saudit në Kanada. Mos shkoni në konsullatë. Mos shkoni në ambasadë”.

Kur e pyeti pse, tha se i thanë “… Ju jeni në krye të listës”.

Saad Aljabri ishte numri dy në inteligjencën saudite derisa, thotë ai, Mohammed bin Salman e detyroi të largohej.

Disa detaje të komplotit të dyshuar të vrasjes, të cilat u detajuan në proceset gjyqësore në SHBA dhe Kanada, tashmë janë raportuar.

Por intervista e tij përfaqëson herën e parë që Aljabri ka folur publikisht për shkëputjen e tij me Princin Mohammed, përcjell Telegrafi.

“Unë jam këtu për të dhënë alarmin për një psikopat, vrasës, në Lindjen e Mesme me burime të pafundme, i cili paraqet kërcënim për njerëzit e tij, për amerikanët dhe për planetin. Një psikopat pa ndjeshmëri, nuk ndjen emocione, nuk ka mësuar kurrë nga përvoja e tij. Dhe ne kemi qenë dëshmitarë të mizorive dhe krimeve të kryera nga ky vrasës”, citohet të ketë thënë Aljabri, shkruan cbsnews, përcjell Telegrafi.

Ndërsa siç vë në pah The Guardian, ai foli gjithashtu për gjendjen e vështirë të dy fëmijëve të tij më të vegjël, Sarah dhe Omar, të cilët u arrestuan dhe ndodhen në burg në Arabinë Saudite në atë që shihet gjerësisht si një përpjekje për të detyruar babanë e tyre të kthehet në vend.

“Më duhet të flas. Unë i bëj thirrje popullit amerikan dhe administratës amerikane që të më ndihmojnë për t’i liruar ata fëmijë dhe për t’u rikthyer jetën”, tha ai.

Qeveria saudite nuk adresoi akuzat e Aljabri, por tha në një deklaratë se “Saad Aljabri është një ish-zyrtar i diskredituar i qeverisë me një histori të gjatë të fabrikimit dhe krijimit të shpërqendrimeve për të fshehur krimet financiare që ai kreu”.

Aljabri ishte një këshilltar i afërt i Mohammed bin Nayef, një ish-princ i kurorës dhe ministër i brendshëm i cili po mbahet në Arabinë Saudite dhe është parë si një rival i mundshëm politik i Princit Mohammed.

“Pres të vritem një ditë, sepse ky djalë nuk do të pushojë derisa të më shohë të vdekur”, tha Aljabri.

Aljabri ka mbështetje të fortë në SHBA, ku ish-zyrtarët e inteligjencës i kanë vlerësuar homologun e tyre saudit për ndihmën për të shpëtuar jetët e amerikanëve dhe sauditëve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

Ndryshe, vë në pah The Guardian, Arabia Saudite ka mohuar më parë se ka pasur një tentativë për të vrarë Aljabri në Kanada.

Mbretëria ka mohuar gjithashtu se vrasja e Khashoggi, një kolumnist i Washington Post, ishte urdhëruar nga Princi Mohammed.

Por një vlerësim i deklasifikuar i inteligjencës amerikane – i publikuar në fillim të këtij viti – arriti në përfundimin se vrasja ishte miratuar nga princi i kurorës.

Akuzat serioze për Princin Mohammed vijnë ndërsa Arabia Saudite po kërkon të përmirësojë imazhin e saj në mbarë botën, duke përfshirë blerjen e fundit të Newcastle United nga Fondi i Investimeve Publike, fondi i pasurisë sovrane të kontrolluar nga Arabia Saudite ku Princi Mohammed shërben si kryetar.

Ish-shefi i inteligjencës pretendoi gjithashtu se Princi Mohammed “kishte frikë” nga informacionet që dinte Aljabri për të, duke përfshirë një diskutim të regjistruar të vitit 2014 midis Princit Mohammed dhe princit të atëhershëm të kurorës, Bin Nayef, në të cilin Princi Mohammed dyshohet se tha se mund të vriste mbretin Abdullah për të ‘pastruar’ fronin për babanë e tij, Salman.

“Ai i tha atij, ‘Unë dua të vras mbretin Abdullah. Unë marr një unazë helmuese nga Rusia. Më mjafton vetëm të shtrëngoj dorën me të dhe ai do të mbarojë’. E kemi marrë seriozisht”, tha Aljabri.

Ai shtoi se dinte për dy kopje të regjistrimit dhe se e dinte se ku ndodheshin.

Sipas mediumit britanik, Arabia Saudite nga ana e saj ka akuzuar Aljabri për përvetësim dhe pretendon se ai vodhi qindra miliona dollarë nga arkat e mbretërisë. Akuzat u mohuan nga Aljabri. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Historia e trishtueshme e njeriut që nuk është pastruar për 60 vjet - mjekja tregon se pse ai e shmangu ujin e sapunin

Historia e trishtueshme e njeriut që nuk është pastruar për 60 vjet - mjekja tregon se pse ai e shmangu ujin e sapunin

Azia
Ukraina shkatërroi raketën 6.5 milionë dollarëshe të rusëve

Ukraina shkatërroi raketën 6.5 milionë dollarëshe të rusëve

Evropa
“Mos ia lejoni vetvetes këtë”, për çfarë pendohen më së shumti njerëzit para se të vdesin

“Mos ia lejoni vetvetes këtë”, për çfarë pendohen më së shumti njerëzit para se të vdesin

Botë
Kinezja përdori embrionet e ngrira pas vdekjes së të dashurit - më pas kërkoi hise nga pasuria e tij, por mbeti duarthatë

Kinezja përdori embrionet e ngrira pas vdekjes së të dashurit - më pas kërkoi hise nga pasuria e tij, por mbeti duarthatë

Azia
Duke përdorur Google Maps, zbardhet rasti i çuditshëm në Belgjikë - kjo foto zbuloi fatin e trishtueshëm të një gruaje të moshuar

Duke përdorur Google Maps, zbardhet rasti i çuditshëm në Belgjikë - kjo foto zbuloi fatin e trishtueshëm të një gruaje të moshuar

Evropa
Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Evropa
Kalo në kategori