LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Kërkesat e punëtorëve të komunës së Prishtinës, janë drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë

Ahmeti: Kërkesat e punëtorëve të komunës së Prishtinës, janë drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se kërkesat për rritje të pagave nga punëtorët e kryeqytetit, janë të drejtuara për Kuvendin dhe Qeverinë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka shkruar se komuna e Prishtinës nuk e përcakton nivelin e pagave për punëtorët e saj.


“Punëtorët e Komunës së Prishtinës sot kanë organizuar grevë të përgjithshme duke kërkuar rritje të pagave. Komuna e Prishtinës nuk i përcakton nivelin e pagave prandaj këto kërkesa janë të drejtuara te qeveria dhe te Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ahmeti, transmeton Telegrafi.

I pari i kryeqytetit gjithashtu ka thënë se deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina kishte kërkuar që komuna e Prishtinës sa i përket pagave, të dallohet nga komunat e tjera.

Kërkesa e Pantinës ka qenë që komuna e Prishtinës, të trajtohet sikur një ministri.

Shërbyesit civilë të komunës së Prishtinës, hyjnë në grevë të përgjithshme
Lexo po ashtu Shërbyesit civilë të komunës së Prishtinës, hyjnë në grevë të përgjithshme

Por Ahmeti ka thënë, se një kërkesë e tillë është refuzuar nga të gjitha partitë e tjera përveç AAK-së.

“Deputetja e PSD, Shqipe Pantina, si anëtare e komisionit ka kërkuar që Komuna e Prishtinës të dallohet nga niveli i komunave tjera me paga, për shkak të statusit të veçantë si kryeqytet, por edhe për shkak të vëllimit të punëve që është shumë më i lartë në krahasim me komunat e tjera, në çdo fushë. Kërkesa e deputetes Pantina ka qenë që komuna e Prishtinës të trajtohet sikurse një ministri. Për propozimin e PSD kanë votuar Shqipe Pantina dhe Rasim Selmanaj (AAK). Kundër kanë qenë të gjithë të tjerët, përfshi PDK, LDK (Arban Abrashi e Imet Rrahmani) e po ashtu edhe LVV (Valon Ramadani)”, përfundon postimi i Shpend Ahmetit.

Ndryshe shërbyesit civilë të komunës së Prishtinës, sot kanë mbajtur një grevë të përgjithshme. /Telegrafi/