Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ku po merr pjesë në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, realizoi takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në takim, siç njoftojnë nga BDI, u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe për rolet e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.


Ahmeti e përgëzoi Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.

“Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, u shpreh Ahmeti./Telegrafi/