Afërdita Bytyqi u zgjodh zëvendëskryesuese e KGJK-së

Me gjashtë vota për, Afërdita Bytyqi është zgjedhur zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mbledhjen e sotme të këtij mekanizmi të drejtësisë.
Kundërkandidati i saj, Artan Abazi, mori pesë vota.
“11 anëtarë kanë votuar, prej tyre për kandidaten Afërdita Bytyqi janë gjashtë vota, ndërsa për kandidatin Artan Abazi janë pesë vota. Atëherë rezultati i fletëvotimeve rezulton se Afërdita Bytyqi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, zgjidhet zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mandati i saj fillon nga data 27 gusht 2026, në afat prej tri viteve”, tha ai.

Zëvendës kryesuesja e re e KGJK-së pati një zotim, pasi fitoi pozitën e re.
“Unë zotohem që do të punoj me secilin dhe do të mundohem të kontribuoj në tërë kapacitetin tim në drejtim të avancimit të sistemit të drejtësisë. Për një Këshill Gjyqësor më të avancuar dhe transparent”, theksoi ajo.
Zgjedhja e zëvendës kryesueses së KGJK-së ishte vetëm njëra nga pikat e shumta të mbledhjes së këtij mekanizmi të drejtësisë kosovare, të enjten. /KP/






































