LAJMI I FUNDIT:

Afera me rezervat shtetërore: Çka deklaruan të dyshuarit dhe mbrojtja në seancë dëgjimore?

Afera me rezervat shtetërore: Çka deklaruan të dyshuarit dhe mbrojtja në seancë dëgjimore?

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 19 gushtit 2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), tre të dyshuarve për aferën me rezervat shtetërore, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se në seancë dëgjimore, të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre, kanë kundërshtuar pretendimet e PSRK-së, në anën tjetër kjo e fundit ka thënë se janë siguruar dhe do të sigurohen edhe prova të tjera, të cilat do t’i vërtetojnë pretendimet e paraqitura në këtë fazë të procedurës.


Mbrojtja e Lipovicës: Prokuroria pretendon se Lipovica si person zyrtar ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të bëhet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik

Në vendim, thuhet se në seancë dëgjimore, fillimisht mbrojtësi i të dyshuarit Lipovica, avokati Durim Osmani, ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se nuk është provuar me prova të artikuluara dyshimi i bazuar e as ekzistimi i rreziqeve alternative.

Ai tha se Prokuroria pretendon se Lipovica si person zyrtar, ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të bëhet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik.

Tutje, thuhet se avokati Osmani theksoi se çështja e përjashtimit të Ligjit për Prokurimin Publik nuk rregullohet me Ligjin për rezervat shtetërore, por me Ligjin Special për Prokurimin Publik, të vitit 2011.

“Nëse analizohet vendimi i Qeverisë i dt.26.02.2022, numër 01/65 që ka të bëj për aprovimin e përjashtimit të Ligjit për Prokurim Publik, në rastin konkret në këto dy rrethana të përgjithshme, pretendimi i akuzës është që kërkesa edhe pse jo e ligjshme në realitet është bërë nga institucionet përkatëse siç është Departamenti për Rezervat Shtetërore pas konsultimit me zyrën ligjore ashtu siç vërtetohet në bazë të vendimit të Qeverisë ku thuhet “aprovohet propozimi për rezerva shtetërore”, që në rastin konkret ka pasur kushte dhe mundësi ligjore për përjashtimin e Ligjit për Prokurim Publik”, citohet të ketë deklaruar avokati Osmani.

Po ashtu, avokati Osmani në seancë dëgjimore ka theksuar se çështja e rezervës shtetërore është çështje për sigurinë kombëtare të vendit.

Gjithashtu, avokati Osmani thuhet se ka deklaruar se Lipovica nuk ka bërë përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe se sipas tij kjo vërtetohet nga vetë provat, pasi që Prokuroria në shkresa sqaron se për përzgjedhjen e operatorëve kanë qenë të përfshirë persona të tretë, e që nuk është asnjë nga të pandehurit në sallë. Ai po ashtu tha se nuk qëndron pretendimi se pagesa e avansit është bërë në kundërshtim me ligjin.

Dosja e Prokurorisë: 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer, që nuk erdhën në Kosovë
Lexo po ashtu Dosja e Prokurorisë: 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer, që nuk erdhën në Kosovë

Në fund, avokati Osmani ka theksuar se një javë pas fillimit të luftës në Ukrainë çështja e rezervave shtetërore me vendimin e Qeverisë ka përbërë çështje të interesit publik, të përjashtimit të Ligjit për Prokurim dhe pagesës së avanseve deri në 100%.

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, i dyshuari Lipovica u pajtua me pretendimet e mbrojtësit të tij dhe ka theksuar se në MINT është që 13 vjet dhe që edhe pse ka pasur pozita të rëndësishme dhe ka qenë pjesë e çështjeve shumë të rëndësishme shtetërore, asnjëherë nuk ka bërë shkelje ligjore. Gjithashtu, Lipovica në këtë seancë ka përmendur edhe përgatitjen e tij akademike.

I dyshuari Hafiz Gara thotë se kishte qëllim të rriste rezervat shtetërore dhe jo diçka tjetër

I dyshuari i dytë i Prokurorisë Speciale për aferën e rezervave shtetërore, Hafiz Gara para gjykatës në seancë dëgjimore thuhet se ka deklaruar se ka pasur si qëllim të vetëm rritjen e rezervave shtetërore në mbrojtje të qytetarëve në rast të rrezikut.

Ai tha se ka përvojë mbi 18-vjeçare në institucionet tona, nga të cilat 15 vjet ka udhëhequr si kryeshef ekzekutiv një agjenci të ministrisë dhe se ka pasur vetëm mirënjohje për arritje.

Për të dyshuarin Gara, mbrojtësi i tij, avokati Bekim Kelani thuhet se ka thënë se e kundërshton në tërësi kërkesë e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit ndaj Garës, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për caktimin e kësaj mase.

Sipas avokatit Mahmut Halimi, i dyshuari Muharremi është afarist i shkëlqyr dhe që gjithmonë i përgjigjet atdheut sa herë që e kërkon nevoja. Ai tha se kontaktin me operatorin ekonomik nga Turqia e ka pasur përmes restorantit të tij “Bukë e Zemër”, pastaj theksoi se nga i mbrojturi i tij është kërkuar që të ndihmojë për rezervat shtetërore, të gjejë tregun e blerjes së mallrave të cilat në atë kohë kanë qenë kritike për shkak të luftës në Ukrainë dhe se në atë kohë ka pasur embargo të të gjitha prodhimeve.

Gjithashtu avokati Halimi, thuhet se përmendi që janë ngarkuar 10 mijë e 6 tonë me produktet e kërkuara për krijimin e rezervave shtetërore dhe se si situatë e tillë mund të vërtetohet përmes dokumentacioneve përkatëse.

Sipas Halimit, i mbrojturi i tij nuk ka lidhur kurrfarë kontrate të ndërmjetësimit me ministrinë dhe punën e tij e ka filluar në baza vullnetare, me mjete vetanake.

Ndërkaq, për mungesën e 52.5 tonë të grurit, i dyshuari Muharremi sipas avokatit Halimi nuk ka qenë i përfshirë dhe nuk ka pasur njohuri fare.

Gjithashtu, avokati Kelani ka theksuar se për të dyshuarin Gara gjykata duhet të marrë parasysh faktin se është para pensionimit, ka probleme shëndetësore, se është një njeri familjar dhe se asnjëherë nuk ka qenë në konflikt me ligjin.

Avokati Halimi e quajti proces politik rastin e rezervave shtetërore, e trillime pretendimet e Prokurorisë për të mbrojturin e tij

Në fund, kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të dyshuarit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, i cili sipas vendimit të Gjykatës, ka thënë se si rast i duket tërësisht politik dhe assesi i natyrës materiale dhe juridike. E kjo sipas tij, duke pasur parasysh rrjedhën që ka ndodhur e që e ka shtyrë këtë rast deri këtu, nuk ka asnjë humbje, asnjë keqpërdorim e asnjë vjedhje.

Avokati Halimi theksoi se nga leximi i kërkesës dhe arsyetimi i Prokurorisë, nuk dihet se në çfarë mënyre i ka ndihmuar i mbrojturi i tij dy të dyshuarit e tjerë të kryejnë vepër penale si në kërkesë.

“Në pjesën e dispozitivit që ka të bëj me të pandehurin Ridvan Muharremi qëndrojnë konstatime të cilat lirisht mund të quhen të trilluara sepse ato nuk ekzistojnë dhe kjo lidhet me faktin ku pretendohet se kinse Ridvan Muharremi paska pas më herët marrëdhënie kontraktuese me operatorin ekonomik kompaninë Yafe turizm nga Turqia e që nuk qëndron”, citohet të ketë thënë Halimi.

Avokati Halimi para gjykatës ka treguar se për shkak të atdhetarizmit që ka Muharremi ndaj vendit operatorit ekonomik i ka thënë se nëse ministria nuk i kryen pagesat do të marrë vetë përsipër që të paguajë borxhin e bërë.

Sipas avokatit Halimi për sigurimin e vajit dhe sheqerit ka ekzistuar pothuajse e njëjta procedurë si me grurin, duke vënë kontakte me kompani nga Polonia, duke i zhvilluar bisedimet dhe duke arritur marrëveshje për dërgimin e vajit dhe sheqerit.

Kurse vetë i dyshuari Muharremi, në vendim thuhet se para gjykatës ka mbështetur në tërësi kundërshtimet e mbrojtësit të tij, duke shtuar se ka ardhur nga Zelanda e Re për të jetuar dhe kontribuuar në Kosovë, bashkë me familjen e tij.

Në anën tjetër, lidhur me deklarimet e avokatit Halimi se ky është një proces politik, prokurori special Valdet Gashi ka thënë se është një deklarim i paqëndrueshëm, i hamendësuar dhe se kontaktet e të dyshuarit Muharremi me dy të dyshuarit tjerë, i ka dëshmuar edhe në këtë seancë.

Kurse, në vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, Gjykata ka theksuar gjetjet e saj, ku për të dyshuarit Lipovica dhe Gara, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Kurse, për të dyshuarin Muharremi thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësi të personit jozyrtar, ka ndihmuar të pandehurit Lipovica dhe Gara duke iu krijuar kushte, propozuar dhe negociuar kushtet për kontrata për furnizimin me rezerva shtetërore për vitin 2022.

Gjykata ka gjetur po ashtu se të dyshuarit Lipovica dhe Gara për blerjen e produkteve të rezervës shtetërore, kanë zbatuar procedurat në kundërshtim me ligjin.

Në vendim thuhet se i dyshuari Gara në cilësi të drejtorit për Departamentin e Rezervave Shtetërore i është drejtuar të dyshuarit tjetër Lipovica duke i kërkuar që të futet në rend dite në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës blerja e produkteve për rezerva shtetërore, duke i përjashtuar procedurat e prokurimit.

Tutje, gjykata ka gjetur se i dyshuari Lipovica në cilësi të zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka nënshkruar vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizim me rezerva.

Sipas gjykatës, edhe të dyshuarit Gara dhe Lipovica në vend që vetë komisioni të zhvillojë procedurat për negocimin e kontratave, kanë vepruar ndryshe duke krijuar mundësinë që i dyshuari tjetër Muharremi të zhvillojë këto negociata me operatorët ekonomikë.

Po ashtu, edhe për të dyshuarin Muharremi gjykata ka gjetur se me dashje është përfshirë në veprime inkriminuese me dy të dyshuarit tjerë, duke mundësuar kontraktimin e produkteve për rezervat shtetërore.

Gjykata ka theksuar se Muharremi ka vepruar pa pasur një autorizim paraprak nga organet shtetërore, ka krijuar kështu kontaktet me kompanitë nga Turqia dhe Polonia me qëllim të krijimit të rezervave shtetërore.

Për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, gjykata ka përmendur edhe faktin se të njëjtit mund të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim të ndryshimit apo fshehjes së provave me qëllim të krijimi të ndonjë versioni tjetër të sajuar.

Kurse, për çështjen e ndikimi në dëshmitarë edhe pse Prokuroria sipas gjykatës nuk ka përmendur ndonjë dëshmitar, gjykata ka gjetur se qartazi tre të dyshuarit kanë pasur kontakte me persona të tjerë të cilët mund të sigurohen në ardhmen.

Gjithashtu, gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale, ku dëmi i pretenduar vlerësohet të jetë 601 mijë e 940 euro.

Kurse, për pretendimet e Prokurorisë lidhur me arratisjen e të dyshuarve, gjykata nuk ka gjetur ndonjë arsye për të besuar ekzistimin e këtij kushti për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kurse, ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të dyshuarve kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht më 19 gusht për dosjen e Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve në rastin e dallavereve me rezervat e shtetit, ku thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevant fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Hovenier: Njohja reciproke është qëndrim i administratës Biden, por s’mendojmë se do të ndodhë tani

Hovenier: Njohja reciproke është qëndrim i administratës Biden, por s’mendojmë se do të ndodhë tani

Lajme
Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

Lajme
Festuan apo protestuan? Serbët defilojnë me vetura e flamuj në Mitrovicën e Veriut, pas miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Festuan apo protestuan? Serbët defilojnë me vetura e flamuj në Mitrovicën e Veriut, pas miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Lajme
Rezoluta për Srebrenicën, Kamberi: Grusht i fortë për politikën e Vuçiqit

Rezoluta për Srebrenicën, Kamberi: Grusht i fortë për politikën e Vuçiqit

Lajme
Krasniqi i përgjigjet Haradinajt: Nuk jemi fëmijë me na mashtru Albini

Krasniqi i përgjigjet Haradinajt: Nuk jemi fëmijë me na mashtru Albini

Politikë
Prishtinë, një qytetar gjuan qesen me mbeturina nga banesa e tij

Prishtinë, një qytetar gjuan qesen me mbeturina nga banesa e tij

Lajme
Kalo në kategori