Zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë përcaktuan disa kryetarë që në raundin e parë, ndërsa 18 komuna u detyruan të shkonin në balotazh për të zgjedhur liderin komunal që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme. Në raundin e dytë, më 9 nëntor, u përcaktuan emrat e kryetarëve tjerë, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në një intervistë për Telegrafin, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, sqaroi kur pritet që kryetarët e sapozgjedhur të marrin zyrtarisht detyrën.


“Kryetarët e rinj marrin detyrën brenda 15 ditësh nga certifikimi i rezultateve nga KQZ. Procesi nuk lidhet me datën e zgjedhjes, por me datën e certifikimit, sepse vetëm pas certifikimit fillon afati ligjor për konstituimin e institucioneve komunale", tha ai.

“Hapi final është mbledhja e parë (mbledhja konstituive) e Kuvendit Komunal, ku kryetari i ri e jep betimin dhe fillon mandatin”, shtoi Ibrahimi.

Ai theksoi: “Ligji për Vetëqeverisjen Lokale (03/L-040) i ka të përcaktuara rregullat për thirrjen e takimit të parë konstituiv, pra kush e thërret dhe procedurat tjera deri në dhënien e betimit. Mbledhja e parë e thirret brenda 15 ditësh nga certifikimi. Hapi i fundit para marrjes së detyrës është betimi i kryetarit të ri në mbledhjen konstituive”.

Sipas drejtorit të AKK-së, ky afat mund të zgjatet vetëm në dy situata.

“Po, afati mund të zgjatet në dy situata: Nëse certifikimi i KQZ vonohet për shkak të ankesave dhe rinumërimeve; Nëse mbledhja konstituive nuk ka kuorum dhe duhet thirrur e dyta. Jashtë këtyre rasteve, afatet janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen", bëri të ditur Ibrahimi.

Ai foli edhe për situatën në Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, të cilat nuk kanë arritur të miratojnë buxhetin në kohë dhe përballen me krizë financiare.

“Në këto raste Komunat shpenzojnë vetëm për pagat dhe shërbimet më bazike, pa mundësi për investime të reja. Asnjë projekt kapital i ri nuk mund të nisë, duke shkaktuar vonesa në infrastrukturë, arsim, mjedis dhe shërbime të qytetit. Furnizimet e reja, kontraktimet dhe shërbimet teknike vonohen ose pezullohen. Komunat operojnë në një gjendje të ‘bllokadës buxhetore’”, potencoi drejtori i AKK-së.

Ibrahimi shtoi më tej se ka një zgjidhje të përkohshme për këto komuna: “Ekziston mekanizmi i 1/12 së buxhetit të vitit paraprak, që lejon komunat të funksionojnë minimalisht deri në miratimin e buxhetit të ri. Por ky mekanizëm: nuk lejon projekte kapitale të reja, nuk lejon kontrata shumëvjeçare, dhe është vetëm një zgjidhje provizore, jo zhvillimore”.

I pyetur për rrezikun që ndërmarrjet komunale apo shërbimet bazike të preken nëse situata zgjat, Ibrahimi deklaroi se ndërmarrjet mund të hyjnë në mungesë likuiditeti.

“Rreziku është shumë i madh: Ndërmarrjet publike që varen nga subvencionet komunale mund të hyjnë në mungesë likuiditeti. Shërbimet si pastrimi, ndriçimi publik, transporti, çerdhet dhe mirëmbajtja e qytetit mund të pësojnë ndërprerje. Projektet e nisura mund të mbeten pa pagesa dhe kontraktorët mund të ndalin punimet”.

“Nëse situata zgjatet deri në mars 2026, pra nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk miraton buxhetin për 2026, vendi përballet me një krizë të plotë financiare, pra edhe komunat do përballen me të njëjtën situatë", tha Ibrahimi.

I pyetur se si po ndikon situata tek komunat ku përmbaruesit kanë tërhequr mjetet e konsiderueshme nga buxheti i tyre shkaku i Kontratave Kolektive (siç është rasti i fundit me Komunën e Vushtrrisë, ku i është ndërprerë ndriçimi publik), drejtori i AKK-së tha se komunat janë dëmtuar shumë.



“Sipas vlerësimeve tona, komunat janë dëmtuar: me qindra miliona euro përgjatë viteve, me bllokime të llogarive bankare, me pagesa të detyruara që rrjedhin nga kontrata për të cilat komunat nuk kanë qenë fare palë nënshkruese", bëri të ditur Ibrahimi.

Nga kjo situatë e krijuar, sipas tij, komunat po përballen edhe me vonesa në projekte kapitale, furnizime, paga apo kontrata të tjera. “Bazuar në raportimet që komunat i kanë dërguar te AKK: projekte kapitale janë shtyrë ose pezulluar, furnizimet dhe kontratat e reja janë në pritje, pagesat ndaj kontraktorëve po vonohen, komunat me përmbarime po funksionojnë me shumë vështirësi. Për pagat nuk ka rrezik të menjëhershëm, por nëse procesi zgjatet përtej marsit 2026, edhe kjo linjë mund të preket", deklaroi ai.

Në fund, Ibrahimi tha se duhet ndryshuar Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, në mënyrë që komunat të mos përballen me bllokada buxhetore.

“Po, ne kemi theksuar qartë se: Ligji për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligji për Menaxhimin e financave Publike duhet të ndryshohen për të shmangur bllokadat buxhetore. Afatet duhet të jenë më fleksibël dhe të lidhura drejtpërdrejt me certifikimin, në mënyrë që komunat të mos mbesin për muaj të tërë pa buxhet. Sistemi aktual i ndëshkon komunat pa fajin e tyre dhe pengon zhvillimin lokal”, përfundoi drejtori i AKK-së. /Telegrafi/