LAJMI I FUNDIT:

Afaristi Nehat Devolli ka një propozim për pako ekonomike

Afaristi Nehat Devolli ka një propozim për pako ekonomike

Pas prezantimit të pakos së fundit nga Qeveria e Kosovës, prej 150 milion euro, për përballje me inflacionin ka reaguar afaristi Nehat Devolli, i cili ka dhënë një propozim për një pako ekonomike që mund të shërbejë si ide për pakot e ardhshme.

Devolli thotë se “kjo pako ekonomike duhet të orientohet drejt granteve për bizneset aktive dhe startup-et në Kosovë në mënyrë që t’i japë shtysë ekonomisë sonë”.


“Disbursimi i tyre do të duhej të kalonte përmes bankave komerciale në Kosovë, duke respektuar kriteret që ato aplikojnë me rastin e dhënies së kredive dhe ekspertizën që ato posedojnë në vlerësimin e biznes planeve dhe projekteve të ndryshme investive (kujtojmë se kredit jopërformuese në Kosovë janë më të ulëtat në rajon për shkak të këtyre kritereve dhe vlerësimeve)”, ka shkruar Devolli përmes një postimin në rrjetin social Twitter, transmeton Telegrafi.

Ai thotë se “aktivizimi i grantit do të bëhej sipas parimit 3×33%, ku 33% duhet të jetë kapital nga biznesi, 33% kredi nga Banka dhe 33% fonde nga granti”.

“Për shembull, nëse biznesi aplikon në bankë me një projekt investimi me një kosto prej 100,000 euro dhe ai projekt merr miratimin e bankës, atëherë fondet për financimin e këtij projekti do të jenë 33,400 euro kapital i biznesit, 33,300 euro kredi bankare dhe 33,300 euro mjete nga granti”.

“Fondet e grantit dhe kredisë do të siguroheshin përmes kolateralit të projektit deri në realizimin e tij dhe shlyerjen përfundimtare të kredisë, ndërsa zbatimi i planit të investimit do të përcillej nga banka dhe ecuria e tyre do të raportohej në departamentet përkatëse të qeverisë”.

Sipas Devollit, me këtë skemë të pakos ekonomike prej 150 milionë euro grante, në tregun e Kosovës përmes bizneseve të ndryshme do të liroheshin rreth 450 milionë euro, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe ofrimin e mijëra vendeve të reja të punës.

“Mjetet e këtyre granteve për një periudhë afatmesme do të ktheheshin prapë në buxhetin e shtetit nëpërmjet taksave që do të krijonin këto investime”, thotë Devolli.

Inflacioni në Kosovë, Qeveria Kurti me pakon e re mbështetëse për qytetarët
Lexo po ashtu Inflacioni në Kosovë, Qeveria Kurti me pakon e re mbështetëse për qytetarët

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media tha se inflacioni ka rënduar jetën e qytetarëve në Kosovë, prandaj do të fillojnë me një pako të re mbështetëse.

Ai në konferencën për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati tha se kjo po bëhet me qëllim që qytetarëve të ju lehtësohet përballja me inflacionin. /Telegrafi/