LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti i Ri i Stambollit – një mrekulli botërore

Aeroporti i Ri i Stambollit – një mrekulli botërore

Me një hapësirë prej 76 milionë metër katrorë dhe me një investim mbi 10.25 miliardë euro, në Ditën e Republikës së Turqisë – 29 tetor 2018 do të hapet Aeroporti i Ri i Stambollit që do të jetë rreth 25 minuta larg nga qendra e qytetit. Sipas IGA, kompania që është përgjegjëse për operimin e aeroportit për 25 vitet e ardhshme, projekti do të përfundojë në katër faza, ku faza e parë do të hapet me tre pista dhe një terminal që mund të strehojë deri në 90 milionë pasagjerë në vit.

Kështu është bërë e ditur në konferencën “Turkish Airlines Corporate Club”, që u mbajt në Stamboll me 17-18 shtator 2018, në partneritet me Global Business Travel Association (GBTA), të cilët morën pjesë mbi 900 pjesëmarrës nga 71 vende të rrjetit ndërkombëtar të fluturimit që operon Turkish Airlines.

Shefi Ekzekutiv i Aeroportit të Ri të Stambollit, Kadri Samsunlu, tha se pasi të përfundojë ndërtimi i plotë, pritet të bëhet aeroporti më i madh në botë.

“Me 29 tetor në Ditën e Republikës së Turqisë, Aeroporti i Ri i Stambollit do të jetë në dispozicion me fazën e parë. Pasi të përfundojnë të gjitha fazat, ky aeroport do të jetë më i më i madhi në botë me një kapacitet vjetor deri në 200 milionë udhëtarë në më shumë se 300 destinacione”, tha Samsunlu.

Ai shtoi se Aeroporti i Ri i Stambollit do ta bëjë integrimin e Turqisë në ekonominë botërore.

“Aeroporti i Ri i Stambollit do të jetë epiqendra e integrimit të Turqisë në ekonominë botërore, duke i shtuar vlerë ekonomisë dhe në veçanti turizmit”, tha ai.

Aeroporti i Ri i Stambollit është ndërtuar në veri të qytetit me një perimetër prej 42 kilometër katrorë, apo me një hapësirë prej 76 milionë metër katrorë apo shtatë herë më i madh se Aeroporti “Ataturk”.

Për ndërtimin e tij janë investuar mbi 10.25 miliardë euro dhe deri në vitin 2025 ky aeroport do të kontribuoj në ekonominë turke me mbi 225 mijë të punësuar, me 40.7 miliardë dollarë si vlerë e shtuar dhe do të merr pjesë me 4.89 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit.

Aeroporti do t’i ketë shtatë terminale, prej të cilave katër do të jenë për Turkish Airlines dhe do të jenë në dispozicion 566 Check-In, ku 302 prej tyre do t’i shfrytëzon Turkish Airlines.