Nga: Nicholas Barber / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Francis Gary Powers ishte në një mision spiunazhi të CIA-s, mbi Rusinë sovjetike, kur aeroplani i tij U-2 u godit nga një raketë tokë-ajër. “Shikova lart, shikova jashtë, dhe gjithçka ishte portokalli, kudo”, ka thënë Powers. “Nuk e di nëse ishte reflektimi në xhamin e kabinës apo thjesht i gjithë qielli. Dhe, më kujtohet që i thashë vetes: ‘Pasha Zotin, e pata puna ime’”.


Në fakt, Powers arriti të hidhej me parashutë dhe të shpëtonte, por telashet për të sapo kishin filluar. Pasi u arrestua dhe u mor në pyetje nga KGB-ja, ai u nxor në gjyq në Moskë, ku familja e tij mund ta shihte, pa mundur që ta ndihmonte. “Tha se e dinte që ne ishim të pranishëm në gjyq”, tregoi bashkëshortja e tij, Barbara Powers për BBC. “Më ka parë teksa ia bëra me dorë. Dhe, tha se nuk mundej ta kthente shikimin drejt kutisë ku ishim ulur, sepse kjo e trondiste shumë, dhe ai e dinte që do të na trondiste edhe neve”. Më 19 gusht 1960, 65 vjet më parë, Powersi u dënua me 10 vjet burg - tre në një burg rus dhe shtatë në kamp pune. Kapja dhe gjyqi i tij kishin ndikim të madh në marrëdhëniet Lindje-Perëndim në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Powers ishte 30 vjeç në atë kohë. Ishte djali i një minatori qymyri nga Kentaki i ShBA-së, ndërsa studioi për kimi dhe biologji përpara se të bashkohej me Forcat Ajrore të ShBA-së në vitin 1950. Në vitin 1956, u rekrutua nga CIA për të pilotuar aeroplanët U-2 të spiunazhit - mbi territoret armike. Këta aeroplanë mund të fluturonin në 70 mijë këmbë (21.3 kilometra), gjë që mendohej se ishte mbi rrezen e mbrojtjes sovjetike, ndërsa kamera e avancuar në bord mund të bënte fotografi të detajuara të instalimeve ushtarake. Më 1 maj 1960, Powers u ngrit nga Peshavari në Pakistan, me misionin të fluturonte mbi Bashkimin Sovjetik dhe të aterronte në Norvegji. “Rruga e planifikuar do të na çonte më thellë se kurrë më parë në Rusi, duke kaluar mbi objektiva të rëndësishëm që nuk ishin fotografuar kurrë”, shkroi ai në kujtimet e tij, Operation Overflight.

Por, autoritetet sovjetike kishin zbuluar fluturimet e mëparshme të U-2-ve dhe ishin të vendosur ta ndalonin këtë, me çdo kusht. Aeroplanë luftarakë MiG-19 u ngritën, dhe raketat S-75 Dvina u lëshuan. Katër orë pas nisjes së misionit, aeroplani i Powersit u godit nga njëra prej këtyre raketave pranë qytetit rus Sverdlovsk (tani Jekaterinburg). Njëri nga krahët e aeroplanit u shqye, dhe mjeti filloi të rrotullohej e të binte drejt tokës.

I biri i Powers, Gary Powers Jr., e tregoi këtë ngjarje në podkastin Witness History të BBC-së. “Mendoi të hidhej jashtë - kjo është gjëja e parë që mësojnë pilotët, që të dalin nga aeroplani nëse dëmtohet apo është i paaftë për fluturim. Por, ai e kuptoi se, nëse hidhet, do t’i këputen këmbët në dalje. Kabina e U-2-shit është shumë e vogël, shumë e ngushtë, shumë e përmbledhur. Që të hidhesh, duhet të jesh në pozicionin e përkryer për të kaluar larg strukturës së aeroplanit, përndryshe mund të humbasësh ndonjë gjymtyrë”.

Zgjidhja e Powersit ishte të mos përdorte ulësen e shpëtimit: ai do ta hapte thjesht kapakun e kabinës dhe do të dilte jashtë. Por, sapo e hapi kapakun, u bllokua në dalje dhe nuk arriti të shtypte butonin e vetëshkatërrimit në panelin e U-2-shit. “Ai ende ishte i lidhur me tubin e oksigjenit, kështu që ja ku është, gjysmë e trupit brenda aeroplanit, gjysmë jashtë, duke u rrotulluar drejt tokës, duke humbur dhe rikthyer ndjenjat, duke u përplasur përbrenda”.

Disi, Powers arriti të çlirohej nga U-2-shi dhe u hodh me parashutë mbi një fermë kolektive në periferi të Sverdlovskut. Por, kishte vënë re tashmë një makinë të zezë që e ndiqte nga rruga poshtë, teksa zbriste. Zyrtarët e sigurimit të shtetit e kapën shpejt. Ata gjithashtu kishin mbeturinat e aeroplanit U-2, përfshirë edhe kamerën e tij.

Problemi për qeverinë amerikane ishte se nuk kishin asnjë mënyrë për të ditur nëse Powersi kishte mbijetuar, dhe asnjë mënyrë për të ditur nëse U-2-shi ishte vetëshkatërruar. Departamenti i Shtetit lëshoi një histori mbuluese, duke pretenduar se Powersi kishte qenë duke fluturuar mbi Turqi, duke studiuar modelet e motit për NASA-n kur kishte hyrë aksidentalisht në hapësirën ajrore sovjetike. Madje, historia përfshinte fotografi të një U-2-shi me një logo të NASA-s. Por, në vend që ta mbante misionin sekret, kjo përpjekje e nxituar për mashtrim e shndërroi atë në një turp të madh publik.

Kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Nikita Khrushchev, njoftoi botën se Powersi ishte gjallë dhe shëndoshë - dhe se kamera dhe fotografitë e tij ishin gjetur të paprekura, duke treguar se ai ishte spiun. I detyruar të pranonte se kishte gënjyer, presidenti amerikan, Dwight D. Eisenhower, reagoi me nervozizëm duke pretenduar se ShBA-ja kishte të drejtë të mbante nën vëzhgim armikun. Koha ishte e papërshtatshme, pasi të dy burrat do të merrnin pjesë në një konferencë në Paris përkrah krerëve të qeverive franceze dhe britanike. Ky ishte samiti i parë pas pesë vjetësh me pjesëmarrjen e liderëve sovjetikë dhe amerikanë, dhe shpresohej që do të përmirësonte miqësinë përtej Perdes së Hekurt. Skandali i Powersit e bëri këtë të pamundur.

“Z. Khrushchev donte të kërkimfalje [nga amerikanët] para se të nisnin bisedimet”, raportoi BBC më 17 maj. “Ai gjithashtu tha se ShBA-ja duhet të premtojë se nuk do të shkel më hapësirën ajrore sovjetike dhe se do të ndëshkonte gjithë përgjegjësit për incidentin. Presidenti Eisenhower i hodhi poshtë kërkesat, duke lënë samitin e paqes tërësisht të rrënuar ... Të dy palët fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e konferencës”. Powers gjithashtu u detyrua të mbante pjesërisht përgjegjësinë për këtë katastrofë diplomatike.

Kur u nxor në gjyq në Moskë në gusht, gazetari i BBC-së, Ian McDougall, e përshkroi atë si “një njeri çuditërisht naiv ... një burrë i frikësuar me shpinën për muri ... i cili e dështoi misionin ... nuk ishte shumë trim ... dhe ndiqte qartë nga afër sugjerimet e avokatit të tij mbrojtës rus”.

Fatmirësisht për Powersin, ai u lirua dy vjet më vonë, në vitin 1962. Sipas një raporti të BBC-së, radioja sovjetike e paraqiti lirimin e tij si akt mëshire “në përgjigje të kërkesës së prindërve dhe të afërmve të Powersit, dhe për shkak të pranimit të ndershëm të fajësisë së tij të rëndë”. Në të vërtetë, Powers u dërgua në shtëpi në këmbim të një agjenti të KGB-së të ndaluar në ShBA, William Fisher, i njohur si Rudolf Abel. Ky shkëmbim i të burgosurve do të bëhej subjekti i filmit Bridge of Spies të Steven Spielbergut, i publikuar në vitin 2015 - megjithëse Powers, i luajtur nga Austin Stowell, ishte personazh dytësor. Në vitin 1962, një ekspert spiunazhi, Bernard Newman, i tha BBC-së se Bashkimi Sovjetik kishte dalë më i fituar nga ky shkëmbim sesa ShBA-ja. Abeli ishte spiun i trajnuar dhe me njohuri të thella, ndërsa “Powersi ishte pilot shumë i mirë, por nga këndvështrimi i spiunazhit, gjithçka që dinte ishte të shtypte disa butona”.

Disa nga mediat ishin edhe më të ashpra, pasi shumë komentatorë amerikanë e panë Powersin si frikacak dhe, ndoshta, edhe tradhtar. “Editoriale të tëra ishin shkruar gjatë kohës kur ai ishte në burg”, tha Gary Jr. “Këto editoriale në shtypin amerikan dhe britanik thoshin, në thelb, se ai kishte dezertuar. Se e kishte ulur aeroplanin pa e shkatërruar, se i kishte treguar sovjetikëve gjithçka që dinte ose se nuk kishte ndjekur urdhrat ... të gjitha këto ishin pjesërisht të vërteta, të pavërteta, disa ashiqare gënjeshtra dhe aludime”. Teoritë konspirative silleshin rreth faktit se Powersi nuk shtypi butonin e vetëshkatërrimit të U-2-shit dhe se u lejua të arrestohej në vend që të vetëvritej. “Por, babait tim, nuk i bënte përshtypje kjo”, tha Gary Jr. “Nuk i interesonte çfarë mendonin të tjerët se duhej apo nuk duhej të kishte bërë”.

Autoritetet amerikane bënë disa përpjekje për të rikthyer reputacionin e Powersit. Ai u vlerësua për trimërinë e tij nga disa senatorë - pas paraqitjes në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit në vitin 1962 - dhe në vitin 1965 iu nda Ylli i Inteligjencës nga CIA. Pasi u shkurorëzua dhe u martua sërish, punoi si pilot testues për [kompaninë] Lockheed, pastaj si pilot helikopteri për një stacion lajmesh televizive në Los Anxhelos, KNBC Channel 4. Por, u vra gjatë këtij profesioni, kur helikopteri i tij u rrëzua në vitin 1977.

Gary Jr ishte vetëm 10 vjeç në atë kohë, prandaj kishte shumë gjëra që nuk i dinte për misionet e të atit. Ai mori vetë përsipër t’i hulumtonte ato dhe, më në fund, në vitin 1996 ishte bashkëthemelues i Muzeut të Luftës së Ftohtë në Uarenton të Virxhinias, për të ruajtur historinë e Powersit dhe të të tjerëve si ai. “Si fëmijë, u rrita duke ditur që babai im ishte rrëzuar në Bashkimin Sovjetik, se ishte burgosur nga KGB-ja dhe më në fund ishte shkëmbyer me një spiun sovjetik”, tha Gary Jr. “Por, si fëmijë, kjo më dukej krejt normale. Ishte diçka për të cilën flisnim. Mendoja se çdo fëmijë kishte një baba që kishte kaluar diçka të tillë”. /Telegrafi/