LAJMI I FUNDIT:

Adis Ahmetoviq – raportues i ri për Ballkanin Perëndimor në Bundestag

Adis Ahmetoviq – raportues i ri për Ballkanin Perëndimor në Bundestag

Roli i rëndësishëm i raportuesit për Ballkanin Perëndimor në Bundestag i ka takuar politikanit të ri socialdemokrat Adis Ahmetoviq. Aspirata e tij kryesore, siç thotë, është të përdorë funksionin e tij për të stabilizuar rajonin.

“Nga fakti se familja ime vjen nga Bosnja dhe Hercegovina unë këtë e kam parë si një avantazh dhe si një lloj pasurimi”, tha në një intervistë për DW Adis Ahmetoviq, përfaqësuesi i ri i Partisë Socialdemokratike të Gjermanisë (SPD) në pushtet.


Ahmetoviq e mori postin e raportuesit të Bundestagut për Ballkanin Perëndimor nga politikani tjetër socialdemokrat, deputeti kroat Josip Juratoviq. Që nga hyrja e Adis Ahmetoviqit në Bundestag, këta dy socialdemokratë kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, tranmseton Telegarfi.

Aktiviteti i tij në Ballkanin Perëndimor

Nga mesi i nëntorit, Ahmetoviq dhe Juratoviq u takuan me anëtarin e presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq në Shtutgart, disa javë pasi Ahmetovic u zgjodh në Bundestag me zgjedhje të drejtpërdrejta në zonën elektorale Hannover-Stadt I.

Qysh atëherë Ahmetoviq filloi të fliste në mënyrë kritike për rolin destabilizues të përfaqësuesve të Republikës Srpska.

“Është e qartë se marrëveshja e paqes e Dejtonit duhet të minohet nga pala serbe nga përfaqësuesi serb në presidencë, Milorad Dodik, duke vënë në pikëpyetje strukturën shtetërore”, tha Ahmetoviq në atë kohë, duke shprehur mendimin se veprime të tilla duhet të ndalen “përmes sanksioneve ndërkombëtare dhe forcimin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë”.

Disa muaj më vonë, më 6 janar, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Milorad Dodik dhe një pjesë të rrethit të tij, Ahmetoviq, tashmë anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, shprehu dëshirën që Gjermania të ndërmarrë hapa të ngjashëm.

“Sanksionet e SHBA-së janë një hap i domosdoshëm dhe korrekt të cilit duhet t’i bashkohet Gjermania. Ne duhet të veprojmë me vendosmëri kundër atyre që kryejnë korrupsion dhe destabilizim dhe sjellin përçarje në rajon, si dhe kundër atyre që e mundësojnë dhe e mbështesin atë”, tha Ahmetoviq.

Në fillim të dhjetorit, Ahmetoviq udhëtoi në Bosnje e Hercegovinë me Sekretarin e atëhershëm të Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tani Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut dhe homologun socialdemokrat Michael Roth.

Qëllimi kryesor: stabiliteti i rajonit

Josip Juratoviq ka kërkuar diçka të ngjashme për vite me radhë, duke u angazhuar që Gjermania të ndalojë bashkëpunimin me forcat autokratike dhe destabilizuese në rajon, sepse ajo sjell paqe vetëm në shikim të parë, por jo stabilitet afatgjatë.

Ndoshta tani, kur SPD është grupi më i fortë parlamentar në Bundestag, do të ketë disa ndryshime në qëndrimin ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. SPD, por edhe partnerët e koalicionit, të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP), sipas shumë indikacioneve, janë padyshim më pak të gatshëm t’i shohin përmes gishtave [bëmat[ e disa figurave të njohura në Ballkan.

Një tjetër anëtar socialdemokrat i Komisionit aktual të Punëve të Jashtme të Bundestagut, Nils Schmid, i tha DË disa muaj më parë se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë lartë në prioritetet e politikës së jashtme të Gjermanisë, transmeton Telegrafi.

Pra, shumë punë për raportuesin e ri për këtë rajon, raportet e të cilit do të shërbejnë si mbështetje për deputetët në periudhën e ardhshme zgjedhore kur marrin vendime lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Rreziku i efektit domino

Edhe pse Ahmetoviq i tha DW se ai nuk donte të fokusohej ekskluzivisht në çështjet e politikës së jashtme që lidhen me Ballkanin Perëndimor dhe si një politikan socialdemokrat do të dëshironte të mbante në shënjestër çështje të tilla si qasja e barabartë në arsim për fëmijët nga të gjitha sferat e jetës, megjithatë rruga e tij parlamentare ecën në drejtim të politikës së jashtme. Vendi i prindërve të tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në aktivitetet e tij avokuese deri më tani.

“Dëshiroj t’u bëj thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të stabilizuar Bosnjën e Hercegovinën. Këtë nuk e them sepse vij nga ai vend, por jam shumë i shqetësuar se problemet në BeH mund të kenë një efekt domino në të gjithë rajonin: nëse anija Bosnjë e Hercegovina përmbytet, do të fillojnë të fundosen edhe anije të tjera në rajon”, tha Ahmetoviq për DW.

Ahmetoviq u bëri thirrje gjithashtu politikanëve në rajon që të kuptojnë përgjegjësinë e tyre si forca të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe të kontribuojnë në zgjidhjet konstruktive.

Në deklaratën e tij, pasi u emërua raportues për Ballkanin Perëndimor, Ahmetoviq konfirmoi edhe drejtimin e angazhimit të tij.

“Ruajtja e paqes në Evropë në të ardhmen nuk do të vendoset vetëm në kufirin ruso-ukrainas, por edhe në një masë të madhe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo është arsyeja pse unë do të punoj aktivisht për stabilitetin dhe ruajtjen e paqes në këtë rajon”, tha Ahmetoviq, duke mos prekur këtë herë fuçitë e tjera të barutit në Ballkan.

Si raportues për Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi), Ahmetoviq do të përgatisë këshilla dhe masa, si dhe do t’i propozojë konkluzione grupit të tij socialdemokrat brenda Komisionit të Politikës së Jashtme dhe përfundimisht do të jetë përgjegjës për raportim në Parlament mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/