Acidi glikolik është një përbërës kryesor në kujdesin e lëkurës që shumë njerëz nuk e dinë sa i dobishëm është. Ai ndihmon në ndriçimin e tonit dhe teksturës së lëkurës, si dhe në reduktimin e vijave të holla, rrudhave, akneve dhe njollave.

Me pak fjalë, është një përbërës që ja vlen të jetë pjesë e rutinës suaj. Por, për shkak se është përbërës aktiv, duhet të informoheni para se ta përdorni. Ja çfarë duhet të dini.


Çfarë është acidi glikolik?

Acidi glikolik është një eksfoliant kimik që bën pjesë në grupin e acideve alfa hidroksi (AHA). Ai merret zakonisht nga kallami i sheqerit dhe përdoret gjerësisht në produkte të kujdesit të lëkurës. AHA-të e tjera përfshijnë acidin laktik, citrik dhe mandelik.

“Gjendet në shumë produkte si pastrues dhe serume në përqendrime të buta, por përdoret edhe në përqendrime më të larta nga profesionistët si peeling kimik”, shpjegon ekspertja e bukurisë Nilam Holmes.

Çfarë i bën lëkurës acidi glikolik?

Acidi glikolik është një përbërës shumë efektiv me shumë përfitime. “Është eksfoliuesi më i mirë,” thotë ekspertja e lëkurës Keren Bartov.

Ai zbut “ngjitjen” që mban qelizat e vdekura në sipërfaqen e lëkurës (stratum corneum), duke zbuluar qelizat më të reja më poshtë.

Sepse ka molekulën më të vogël nga të gjitha AHA-të, acidi glikolik depërton më thellë dhe më shpejt. Ai madje ndihmon në stimulimin e prodhimit të kolagjenit në dermë — shtresa ku fibroblastet prodhojnë kolagjen.

Acidi glikolik është gjithashtu shumë i dobishëm për aknet. “Është shumë i mirë për këdo që ka shpërthime aknesh,” thotë estetistja Teresa Tarmey. “Saliciliku mund ta thajë tepër lëkurën dhe të shkaktojë probleme të tjera.”

A mund të përdoret acidi glikolik çdo ditë?

Si me çdo acid, përdorimi i tepërt ose kombinimi me acide të tjera të forta mund të shkaktojë irritim.

“Përdorimi i shpeshtë i acidit glikolik në përqendrime të larta mund të çojë në mbieksfolim dhe të dëmtojë barrierën mbrojtëse të lëkurës,” thotë Holmes.

Megjithatë, në përqendrime të buta mund të përdoret çdo ditë — varet nga formula.

Nëse lëkura acarohët, skuqet, fillon të zbardhet apo ndihet e brishtë, ndaloni përdorimin.

“Kur mburoja e padukshme e lëkurës dëmtohet, ajo bëhet më e ekspozuar ndaj mikrobeve,” shpjegon Diane Ackers. “Nëse lëkura duket tepër e lëmuar dhe si dyll, kjo është shenjë se po e teproni me acidet.”

Nëse nuk jeni të sigurt, filloni me përqendrimin më të ulët, përdoreni çdo 2–3 ditë dhe rriteni gradualisht.

A është acidi glikolik i përshtatshëm për të gjitha llojet e lëkurës?

Ai funksionon mirë për lëkurë normale, të kombinuar dhe të yndyrshme.

Lëkura e ndjeshme duhet ta përdorë me kujdes, pasi mund të shkaktojë tharje, skuqje dhe ndjeshmëri të shtuar.

Stina është një faktor i rëndësishëm.

“Pasi heq shtresat e sipërme të qelizave, acidi glikolik e bën lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit — prandaj kremi me SPF është i domosdoshëm,” paralajmëron dermatologia Anjali Mahto.

Acidi glikolik (në përqendrime të ulëta) është i sigurt për gratë shtatzëna.

Personat me lëkurë më të errët duhet të tregojnë kujdes me përqendrimet e larta. “Produktet e forta mund të shkaktojnë djegie ose ndryshim të pH-së,” shpjegon Tarmey. Nëse nuk e toleroni, mund të provoni acidin laktik.

Cila është forma më e mirë e acidit glikolik?

Për fillestarët, pastruesit me acid glikolik janë zgjedhje e mirë sepse qëndrojnë pak në lëkurë dhe lahen menjëherë.

Më pas mund të kaloni te produktet që nuk lahen menjëherë, si tonikët, serumet dhe kremrat.

Produktet me përqendrime të ulëta mund të përdoren çdo ditë, por ato më të forta mjaftojnë 1–2 herë në javë.

Përqendrimi ideal është 8–15%.

Përqendrimet më të larta japin rezultate më të shpejta, por duhet të përdoren vetëm nga profesionistë.

Gjithashtu, kushtoni rëndësi pH-së së produktit.

Nëse pH-ja është 3–4, acidi glikolik është aktiv me fuqinë e deklaruar.

Cilat janë disavantazhet e acidit glikolik?

Edhe pse mund të kombinohet me disa acide të tjera (si acidi salicilik), disa ingredientë duhen shmangur. Më i rëndësishmi është: retinoidet.

Nëse dëshironi të përdorni të dyja, filloni me njërën dhe pasi lëkura të mësohet, shtoni tjetrën në ditë të ndryshme.

Përdorimi i tepruar i acidit glikolik mund të dëmtojë barrierën e lëkurës, duke shkaktuar:

Irritim;

Tharje;

Skuqje;

Zbardhje të lëkurës;

Shpërthime aknesh;

Ndjeshmëri ndaj diellit.