Absurde të bisedohet me Serbinë, pa na njohur

“Dyzet e pesë për qind e popullsisë jetojnë me më pak se 2 dollarë, ndërsa 18 për qind janë në varfëri ekstreme dhe jetojnë me më pak se një dollar në ditë, që do të thotë se janë të uritur për çdo ditë meqenëse nuk marrin kaloritë e mjaftueshme që i nevojiten organizimit të njeriut. Mbi 60 për qind është papunësia dhe mendoj që gjithë këta njerëz kur në ekranet televizive shohin në vend të një figure prej politikani, u.d. i presidentit në vend të presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mendoj se kjo ia shton shumë krizës së jetës së tij të përditshme. Por, mendoj që partitë që janë në koalicionin qeveritar me këto manipulime që po i bëjnë, janë të interesuara që t’ia rrisin pazarin vetes së tyre para njëri-tjetrit dhe e gjithë kjo sajesë është tërësisht për interesat e krerëve të partive që janë në koalicionin qeveritar dhe nuk ka të bëjë me qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, Kurti ka thënë se Lëvizja “Vetëvendosje” jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimeve me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por “ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdo qoftë me Serbinë, përderisa ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e ndërron kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk na kërkon falje për krimet e kryera, nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, nuk ka i kthen librat kadastralë dhe fondin pensional dhe nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë e nuk i ndërpret po ashtu edhe financimin e strukturave paralele”.
Sipas Kurtit, elita politike në Kosovë dëshiron që sa më parë t’i bëjë zgjedhjet në mënyrë që të shpëtojë votat që mund të shpëtojë për veten e saj dhe kësisoj “të nxirret prej ndëshkimit të qytetarëve para se të fillojnë negociatat me Serbinë ku ata falin territor dhe para se të fillojë privatizimi i PTK-së, KEK-ut e Trepçës, ku ata falin pasuri të Kosovës”.
Kurti ka shtuar se nëse Lëvizja “Vetëvendosje” vjen në pushtet, ajo do të kërkojë ridefinimin e prezencës ndërkombëtare dhe do të bisedojë me Brukselin që Kosova në njërën anë ta ketë të drejtën për t’u integruar në BE dhe në anën tjetër “BE-ja të na ndihmojë që të zhvillohemi si Kosovë e jo vetëm të na shohë si mjet për sigurinë e stabilitetin rajonal”. /Telegrafi/


















































