LAJMI I FUNDIT:

Abdullahu, për Ligjin për Trepçën: Kundërshtimi i serbëve, i dëmshëm për ta

Abdullahu, për Ligjin për Trepçën: Kundërshtimi i serbëve, i dëmshëm për ta

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ka kundërshtuar fuqishëm Ligjin për Trepçën, që u votua orët e para të së shtunës nga Parlamenti i Kosovës. Ai madje e ka sfiduar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, që nuk do të guxojë asnjëherë ta vizitojë pjesën veriore të Trepçës.

Këtë kundërshtim të Gjuriqit, nga Qeveria e Kosovës po e vlerësojnë si të dëmshëm dhe të panevojshëm.


Gjuriqi, Mustafës: Je i vetmi që s’mund ta vizitosh Trepçën në veri
Lexo po ashtu Gjuriqi, Mustafës: Je i vetmi që s’mund ta vizitosh Trepçën në veri

“Kundërshtimi i tij jo vetëm që është i panevojshëm, por ai do të ishte i dëmshëm në rënd të parë për komunitetin serb, i cili përfiton nga ky Ligj për të tashmen dhe të ardhmen e tij”, ka thënë për Klan kosova, zëdhënësi i Qeverisë dhe këshilltari i Mustafës, Faton Abdullahu, sipas të cilit Ligji i ri duhet të shoshitet brenda logjikës ekonomike e jo ndasive shtetërore. “Ne konsiderojmë se ky ligj për Trepçën duhet të vlerësohet me logjikën e prosperiteti social dhe zhvillimit ekonomik si dhe forcimit të koekzistencës etnike dhe shtetërore të Kosovës e jo të ngurtësisë averzive ndaj institucioneve tona”.

Madje, sipas tij, ky ligj është në përputhje të plotë me parimet mbi të cilat është ndërtuar vendi ynë dhe mbi parimet të cilat janë shtylla të raporteve tona me vlerat integruese evropiane.

Sot gjatë tërë ditës ka pasur reagime nga Serbia kundër Ligjit për Trepçën që Qeverinë e Kosovës e bën pronar të 80 për qind të aksioneve të ndërmarrjes, ndërsa 20 për qind të tjera u takojnë punëtorëve. Agresivë në kundërshtim janë treguar edhe nga Lista Serbe. Madje, ministri Ljubomir Mariq ka deklaruar se e kanë ndërmend ta shqyrtojnë edhe një herë pozicionin e tyre brenda koalicionit qeveritar.