AAK në Prizren dënon aktin e grisjes së Kuranit

Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të një video-incizimi ku shihet një person duke grisur Kuranin në këtë qytet.
Krasniqi në një postim në platformën sociale Facebook, shprehu shqetësimin dhe indinjatën e tij për këtë akt, duke e cilësuar atë si një veprim të shëmtuar dhe provokues, që cenon ndjenjat fetare të myslimanëve dhe vlerat e bashkëjetesës në Prizren.
"Ky është një veprim i ulët dhe i papranueshëm, që cenon jo vetëm ndjenjat fetare të qytetarëve myslimanë, por edhe vlerat e bashkëjetesës dhe respektit që e kanë karakterizuar gjithmonë qytetin tonë", tha ai.
Krasniqi dënoi fuqishëm incidentin dhe i bëri thirrje organeve të rendit që të veprojnë me shpejtësi për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësin.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të tilla, duke theksuar se Prizreni do të mbetet shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
"Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen e këtyre vlerave dhe për mbrojtjen e lirisë fetare e të drejtave të çdo qytetari", përfundoi ai./Telegrafi/















































