LAJMI I FUNDIT:

A po shkon Kosova drejtë destabilizimit?

A po shkon Kosova drejtë destabilizimit?

Duke e shikuar Kosovën nga larg, por edhe duke vështruar ndryshimet dhe të arriturat që Kosova si shtet i ka bërë gjatë një procesi jo edhe aq të lehtë, për ngjarjet e fundit nuk mbetet ndonjë shpjegim tjetër i logjikshëm, veçse se një shtysë e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, për ta destabilizuar Kosovën.

Pikërisht tash kur ka një përkrahje më të madhe nga shtetet e shumta për t’u anëtarësuar Kosova në organizata të rëndësishme ndërkombëtare që në fakt edhe vulosin shtetësinë e saj. Në anën tjetër Kosova po pritet të marr dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave dhe dalëngadalë në rrugën e sigurt drejtë Bashkimit Evropian.


Këto zhvillime e kanë tmerruar edhe qeverinë serbe në Beograd. Ata edhe kanë ‘lëvizur çdo gur diplomatik’ për të mos e pranuar Kosovën në UNESCO. Qeveria serbe bile është duke u dorëzuar totalisht në aspekt me Kosovën ku edhe kanë filluar të flasin për një konsensus kombëtar në lidhje me këtë çështje. Kjo thirrje e tyre në fakt është mesazh për popullin serb që Kosova nuk kthehet më asnjëherë nën Serbi dhe në fakt sondazhet tregojnë që mbi 50 për qind e serbëve tashmë e dinë këtë.

Megjithatë, qeverisë së Serbisë i duhet kohë më shumë për të lëvizur konkretisht në njohjen e Kosovës si shtet. Andaj, edhe stërzgjatja e tranzicionit në Kosovë i shkon shumë mirë përshtati politikës aktuale serbe. Trazirat në Kosovë, janë ujë në mullirin e Beogradit e që dërgon produkte finale në Bruksel, kundër Kosovës në çdo aspekt.

Besoj plotësisht që klasa politike në Kosovë janë të vetëdijshëm për gropën që po ia bëjnë vendit të vet duke hedhur benzinë në zjarrin e tensioneve për pushtet.

Opozita po reagon absolutisht me mjete jodemokratike, qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik në një drejtim tjetër që nëse Kosova anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe nëse merr dritën e gjelbër për liberalizim të vizave, atëherë populli t’i shohë këto arritje të mjegulluara dhe pa efekte pozitive, duke tentuar që ta paraqesin qeverinë dhe shtetin e Kosovës si një shtet policor dhe të dhunës.

Në fakt, duke ushtruar dhunë kundër shtetit dhe kundër institucioneve, duke hedhur gaz lotsjellës në Parlament, ata simbolikisht bënin thirrje për hedhje të gazit lotsjellës në çdo familje në Kosovë, sepse deputetët drejtpërdrejtë janë përfaqësues të popullit, e rrjedhimisht edhe populli meriton ta shijojë gazin lotsjellës.

Pra stimulimi i dhunës ndaj shtetit, e stimulon edhe dhunën e shtetit ndaj atyre që e ndjellin. Është shkencërisht e provuar kjo. Opozita po provon me mjete makiaveliste me nxjerr përkrahje, por jo çdoherë dalin gjërat ashtu siç mendojmë.

Siç thotë populli: ‘Provojmë me nxjerr një kashtë, e dalin nja pesë a gjashtë’.

Nejse, për mendimin tim arrestimi i Albin Kurtit nga ana e Policisë së Kosovës, ishte gabim, po aq gabim sa hedhja e gazit lotsjellës në Parlament. Sepse deputetët duhet të respektohen denjësisht si përfaqësues të zgjedhur nga populli, por edhe deputetët duhet të jenë në krye të detyrës përgjegjshëm dhe brenda kornizës ligjore që atyre u takon.

Për ta përmbyllur do të thosha që klasa politike duhet të heqin dorë nga situatat tensionuese të cilat janë krejtësisht të panevojshme. Të ofrojnë programe të cilat vlerësohen nga populli dhe me anë të votës të ndryshohet pushteti, të bëhet politikë e arsyes, e jo të kërkohen vetëm arsye për dhunë politike. Të jenë të vetëdijshëm që destabilizimi politik i vendit, ua realizon planet armiqëve karshi Kosovës.

A është pushteti qëllimi apo qëllimi është pushtet?!

Kam një përgjigje: Deti nuk shkon te lumi, por lumi shkon në det.