Nëse ndodheni në New York, ka shumë mundësi që të keni hasur burra që po dilnin nga sistemi i kanalizimeve të qytetit.

Rrjetet sociale janë të mbushura me video të burrave që ngjiten e dalin nga sistemi i kanalizimeve të New Yorkut në mes të natës, duke shkaktuar një hetim policor dhe duke i lënë banorët të hutuar.


Por çfarë po bëjnë ata aty?

Burrat hyjnë e dalin në fshehtësi

Deri më tani, ka pasur tre raste të grupeve të njerëzve që hyjnë ose dalin nga tunelet e kanalizimeve në rrugët e Brooklyn dhe Queens.

I pari ndodhi më 5 maj kur tre persona hapën kapakun e një sistemi kanalizimi dhe zbritën poshtë tij në një rrugë në Queens.

Personi i fundit e mbylli kapakun ndërsa veturat që po afroheshin ngadalësuan derisa ndaluan.

Aki Jakupoviq, pronar i një dyqani veturash, i pa burrat duke zbritur në botën nëntokësore.

Ai tha: “E dija që nuk po bënin asgjë të mirë. Ata thjesht shikuan lart, shikuan poshtë dhe vazhduan sikur unë të mos isha atje. E dini, kam parë shumë gjëra të çmendura në New York, por kjo ishte vërtet diçka e veçantë”.

Jakupoviq menjëherë telefoni policinë.

Që atëherë, ka pasur të paktën dy ndërhyrje të tjera në kanalizimet e ujërave të zeza, të dyja në Brooklyn javën e kaluar.




Gjueti thesari?

Por çfarë po bëjnë këta burra në sistemin e kanalizimeve? Banorët e New Yorkut të hutuar kanë filluar të spekulojnë mbi arsyen pse burrat po hyjnë me dëshirë në sistemin e gjerë nëntokësor të kanalizimeve.

“Jam këtu në këtë vend për 15 vjet, nuk kam dëgjuar kurrë për diçka të tillë”, tha Roufat Kafarov.

Disa mendojnë se kjo ndodh sepse do të gjejnë thesar atje poshtë. Të tjerë janë të mendimit se mund të jenë duke gërmuar nën tokë për të hapur një tunel në një bankë ose biznese të tjera.

Arsyeja më e mundshme është gjuetia e thesareve. Shumë besojnë se kanalizimet e New Yorkut fshehin shumë thesare, të tilla si bizhuteri.

Në fakt, një mori artikujsh të New York Times nga vitet 1800 përshkruan pretendime për bizhuteri që nxirreshin nga thellësitë, ndërsa historitë e kriminelëve që hidhnin drogë dhe sende të tjera në kanale kanë ‘pushtuar’ filmat dhe historitë kriminale gjatë viteve.

Sipas NBC News , burrat po “kërkonin në sistem për sende me vlerë që futeshin në ujërat e zeza”.

Në vitin 2015, kishte ndodhur një rast i ngjashëm. Një 21-vjeçar u arrestua pasi ai dhe dy miqtë e tij futeshin nëntokë në kërkim të sendeve me vlerë që besonin se ndodheshin poshtë.

Edhe vitin e kaluar, një treshe u arrestua për hyrje në kanalizimet e Brooklyn.

Ata shpresonin të merrnin në dorë këto sende me vlerë.

Njëri prej burrave, Willer Green, i tha policisë në atë kohë: "Arsyeja pse shkuam atje është se njerëzit humbasin arin e tyre atje poshtë. Ne duhet ta shesim atë për të fituar para".

Por të tjerë ishin skeptikë ndaj raportimeve se ata po kërkonin sende me vlerë të hedhura nga lart.

Të tjerë spekuluan se burrat mund të përpiqeshin të hapnin tunele në një biznes ose bankë aty pranë.

"Ata po përpiqen të futen në biznese. Në banka”, tha Olga G.

Cilido qoftë motivi për këto veprime misterioze, autoritetet kanë paralajmëruar kundër tyre dhe madje kanë nisur një hetim.

Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit theksoi se hyrja në kanalizime nuk është vetëm e paligjshme, por edhe "jashtëzakonisht e rrezikshme".

Ndërkohë, policia tha se nuk beson se ka ndonjë kërcënim për sigurinë publike, pasi kreu një kontroll të plotë të zonave.

Nuk ka pasur raportime për të lënduar dhe asnjë arrestim, dhe hetimi është duke vazhduar. /Telegrafi/