LAJMI I FUNDIT:

A do të zgjidhet socialisti utopik lider i Partisë Laburiste?

A do të zgjidhet socialisti utopik lider i Partisë Laburiste?

Partia Laburiste britanike ka gjasë të zgjedhë të shtunën (12 shtator) një lider të majtë radikal. Quhet Jeremy Corbyn (Xheremi Korbin). Është 66 vjeçar, deputet laburist tash e 32 vjet.

Deri para ndonjë muaji, pak kush kishte besuar se Corbyn-i ishte kandidat që mund të fitonte garën për udhëheqës të Partisë Laburiste, të partisë kryesore britanike, krahas Partisë Konservatore britanike, aktualisht në pushtet.


Çka përfaqëson Jeremy Corbyn-i, pse mund të fitojë ai, dhe çka do të thotë fitorja eventuale, që duket e sigurtë, e këtij politikani që bazën zgjedhore e ka në veri të Londrës?

Jeremy Corbyn është ndër politikanët më të majtë të Partisë Laburiste, që, në skemën elektorale britanike, është parti e spektrit të majtë. Majtizmi i tij nuk është majtizëm social-demokrat, por trockist, ka thënë ndonjëri i partisë së tij.

Për rrezikun që paraqet zgjedhja e Corbyn-it kanë tërhequr vërejtjen figura të mëdha të Partisë Laburiste të Re, siç është quajtur partia e riprofilizuar në kohën e Tony Blair-it, liderit që fitoi tri palë zgjedhje rresht nga viti 1997. Vetë ish-Kryeministri Blair, më i suksesshmi lider laburist i gjysmëshekullit të fundit, ka intervenuar dy herë publikisht kësaj vere me shkrime, duke e quajtur zgjedhjen e tij ’rrezik vdekjeprurës’ për partinë.

Politikat ekonomike dhe të jashtme të favoritit në garën për lider brengosin jo vetëm figurat e mëdha laburiste, por edhe opinionin e gjerë britanik. Jeremy Corbyn është për rinacionalizim të sektorëve jetikë publikë (të hekurudhave, ta zëmë), për rritje të shpenzimeve publike, për zvogëlim të shpenzimeve ushtarake. Corbyn del një socialist utopik, një komunist në të vërtetë. Corbyn është antiamerikan i përbetuar. Po ashtu kundërshtar i aleancën veri-atlantike, NATO-s. I fajëson SHBA-të për intervenimin e Vlladimir Putinit në Ukrainë. Corbyn ka qenë kundër intervenimit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës. Bëhet se është avokat it ë drejtave të njeriut, për sa kohë që nuk flitet për Rusinë, Kubën, apo Venecuelën, Hamasin apo Hezbollahun, siç ka konstatuar një kolumnist i gazetës prestigjioze, “The Financial Times”, Philip Stevens (Filip Stivënz).

Pse, do të thoshte dikush, mund të zgjidhet në krye të Partisë Laburiste një politikan si ky? Arsyet janë të shumta. Ndër kryesoret: aplikimi i një modeli të ri për zgjedhjen e liderit laburist që u mundëson madje edhe njerëzve (potencialisht subversivë, do të mund të thuhej) që me t’u regjistruar kundrejt një pagese prek 3 funtash britanike (nja 4 euro) të mund të votojnë për udhëheqësin e ri të një partie tradicionale në establishmentin politik britanik. Për këtë fajin e ka lideri i fundit i kësaj partie, Ed Miliband, i cili, përveç që humbi zgjedhjet e fundit duke shpënë partinë tepër në të majtë, dhe duke braktisur qendrën (që kishte zënë Blairi fitimtar), inauguroi këtë sistem të çuditshëm zgjedhor brendapartiak.

Një shpjegim më i plotë pse soji i Corbyn-it mund të fitojë është tek rritja e një vale lëvizjesh populliste të majta e të djathta në Evropë pas krizës ekonomike të vitit 2008, që, në pika të caktuara, konvergjojnë. Në këto pika kjo kryengritje, në profilizime politike aktuale, shfaqet si parti Nacional-Socialiste, pa këtë emër natyrisht. Kur shqiptohet kjo sintagmë (nacional-socialiste) njeriun me kujtesë personale a historike e kapin të rrëqethurat. Fronti Nacional në Francë, Podemos në Spanjë, Syriza në Greqi, ndonjë parti në vendet nordike, partia pavarësiste britanike (UK Independence Party), janë disa nga manifestimet e vonshme të kësaj vale populliste në Evropë. Ndër miqtë e tyre, sidomos të Ciprasit të Syrizës greke, edhe Putini i Rusisë!

Nëse miku i mikut tim është miku im, atëherë edhe Putini i Rusisë del mik i atyre që e pëlqejnë a përkrahin Ciprasin a Le Penin.

Se a do të fitojë Jeremy Corbyn garën për lider të Parisë Laburiste dihet nesër (e shtunë, 12 shtator 2015). Pasojat e fitores së tij eventuale do të jenë afatgjata për partinë Laburiste, për Britaninë e Madhe, por edhe më gjerë.