LAJMI I FUNDIT:

“58 për qind thanë ‘PO’”: Votuesit zviceranë votojnë për pensionin e 13-të brenda vitit

“58 për qind thanë ‘PO’”: Votuesit zviceranë votojnë për pensionin e 13-të brenda vitit

Zvicra ka votuar për rritjen e pagesave të pensioneve për të moshuarit në një referendum të dielën, tregojnë parashikimet paraprake nga transmetuesi publik SRF.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një numërim fillestar i votave i publikuar nga SRF tregoi se 58% e pjesëmarrësve mbështetën pensionin shtesë, një pagesë mujore e 13-të në vit, me vetëm 42% kundër, duke treguar për një fitore më të theksuar sesa kishin parashikuar sondazhet.


Masa, e cila u promovua nga Federata e Sindikatave Zvicerane dhe partitë e majta të qendrës, kërkon mbështetjen nga shumica e 26 kantoneve të Zvicrës për t’u miratuar.

Por diferenca e fitores nënkuptonte se kjo pritet të jetë e sigurt, tha transmetuesi.

“Ky hap është me të vërtetë një moment historik i madh nga perspektiva e sindikatave”, i tha SRF, Lukas Golder nga firma e sondazheve gfs.bern.

Qeveria, lobet e biznesit dhe parlamenti, i cili aktualisht anojnë djathtas, e kishin refuzuar propozimin si të pasigurt financiarisht.

Ndryshe, votuesit zviceranë në të kaluarën kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me masat mbështetëse të konsideruara si të rrezikshme për biznesin.

Gjithashtu, votimi i pensioneve është në kontrast me referendumet e dekadave të fundit, në të cilat Zvicra refuzoi me vendosmëri propozimet që do të shkurtonin javën e punës dhe do t’u jepnin njerëzve më shumë pushime.

Nuk është e qartë se si do të financohet rritja e pensioneve, e cila do të hyjë në fuqi nga viti 2026.

Pensioni minimal i pleqërisë dhe të mbijetuarve (AHV) në Zvicër është 1225 franga zvicerane (rreth 1276 euro) në muaj dhe maksimumi 2450 franga (rreth 2550 euro).

Për çiftet është e kufizuar në 3675 franga (rreth 3830 euro).

Zviceranët votuan gjithashtu për një iniciativë për të rritur moshën ligjore të pensionit, e cila u mposht lehtësisht. /Telegrafi/