LAJMI I FUNDIT:

4,815 të punësuar me kontrata për shërbime të veçanta

4,815 të punësuar me kontrata për shërbime të veçanta

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit që lamë pas numri i të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta në ministri dhe në institucione të pavarura ishte 1,886 ose 613 më shumë sesa në vitin paraprak. Situatë e njëjtë qëndron edhe me institucionet e nivelit lokal, të cilat numrin e të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta e kishin 2,929, që krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje prej 1,553.

Në fund të vitit që lamë pas numri i të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta në institucione qendrore, lokale, por edhe të pavarura ka arritur në 4,815 ose hiç më pak se 2,166 të punësuar më shumë sesa në vitin paraprak.


ZKA në raportin e saj vjetor ka raportuar se duke u bazuar në Pasqyrat Vjetore Financiare numri i të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta në vitin 2017 në institucionet e nivelit qendror (në ministri dhe në institucione të pavarura) ishte 1,886, shkruan Zëri.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar, ku numri i të angazhuarve ishte 613, këtë vit kemi një rritje prej 1,273 ose trefishim të këtij numri.

“Nëse i analizojmë të dhënat nga viti i kaluar 2016 dhe i krahasojmë me të dhënat e vitit 2017 mund të vërehet që numri i të angazhuarve me marrëveshje të veçanta tek institucionet e pavarura është rritur në total për 855, ose shprehur në përqindje 566 për qind. Mirëpo ky numër i lartë është ndikuar nga 904 të angazhuar më shumë se vitin e kaluar nga KQZ-ja për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nëse e anashkalojmë rritjen e këtij numri në KQZ dhe supozojmë se do të ishte numri i barabartë me vitin e kaluar, atëherë del që janë 49 të angazhuar më pak se në vitin 2017, ose numri i këtyre angazhimeve është zvogëluar për 33%, duke e krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në raportin e ZKA-së. /Zëri /Telegrafi/