Në episodin e 42-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, mysafir ishte specialisti i mjekësisë familjare, Nexhbedin Sadiki.

Gjatë bisedës, ai ndau një këshillë praktike dhe shumë të thjeshtë që mund të bëjë diferencë të madhe në shëndetin tonë afatgjatë.


Doktori theksoi se një nga gabimet më të mëdha të stilit modern të jetesës është qëndrimi i gjatë ulur në punë apo në aktivitete të tjera sedentare.

Ky zakon, sipas tij, është ndër shkaqet kryesore që çojnë në probleme me tensionin e gjakut, shtim të peshës dhe rrezik për sëmundje kardiovaskulare.

Për ta shmangur këtë, Sadiki sugjeroi një rregull të thjeshtë: pas çdo 45 minutësh punë, duhet të bëjmë të paktën 10–15 minuta lëvizje. Kjo mund të jetë ecje në ambientin e punës, disa ushtrime të lehta shtrirjeje apo çfarëdo aktiviteti që angazhon muskujt dhe përmirëson qarkullimin e gjakut.

“Nëse ia bëni shprehi vetes që të punoni 45 minuta dhe pastaj të lëvizni 10–15 minuta, pas 10 vjetësh nuk do të keni problem me tensionin e gjakut”, tha doktor Sadiki.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”: