385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime: Provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryetari i Parlamentit Studentor, Mevlan Ademi, teksa sqaron se kërkesa e studentëve është dërguar edhe tek Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera.


"Që nga koha kur isha kryetar i Parlamentit Studentor, kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e këtij provimi — më të rëndësishmit për juristët — edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër.Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë.Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së", shkruan Ademi në Facebook.