LAJMI I FUNDIT:

35 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor

35 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor

Fondi Evropian për Investime (EIF) dhe tri banka të grupit ProCredit kanë nënshkruar marrëveshje garantuese për të përkrahur Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të) në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Kjo marrëveshje është mundësuar përmes Instrumentit të Garancisë për Ballkanin Perëndimor, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit për Zhvillimin e Sipërmarrjeve dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshjet e Instrumentit të Garancisë për Ballkanin Perëndimor kanë për qëllim të lehtësojnë qasjen në financa të NVM-ve në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, duke ofruar mbulim kreditor të përgjithshëm prej 70 milionë eurosh të portofoliove kreditore të këtyre tri vendeve përgjatë dy viteve të ardhshme. Për bankën ProCredit në Kosovë, është ndarë një shumë prej 35 milionë eurosh.


Duke komentuar këtë marrëveshje, Drejtori i EIF-t për Garanci, Sekuritizim dhe Mikrofinanca, Alesandro Tapi, u shpreh: “Jemi shumë të kënaqur që po i nënshkruajmë këto marrëveshje garantuese me ProCredit-in, një partner i vjetër i EIF-t në këtë rajon, në kuadër të fazës së dytë të Instrumentit të Garancisë për Ballkanin Perëndimor lidhur me NVM-të në Kosovë, Serbi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Përmes bankave të ProCredit, kjo garanci do të përmirësojë qasjen e NVM-ve në financa, gjë që do të sjellë vende të punës dhe rritje në ekonomitë e këtyre tri vendeve”.

Borislav Kostadinov, anëtar i Bordit Menaxhues të ProCredit Holding, shtoi: “Ne në grupin ProCredit jemi shumë krenarë që po i nënshkruajmë këto marrëveshje garancie për këto tri vende. Si “Hausbank”-a udhëheqëse për NVM-të në këtë rajon, ne gjithmonë do të përpiqemi që të ofrojmë zgjidhje më të mira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendet ku operojmë.”

Drejtori i Përgjithshëm i ProCredit-it, Ilir. I. Aliu, theksoi se banka ProCredit në vazhdon të japë kontributin e vet në integrimin ekonomik dhe në zhvillimin e një ekonomie të ekuilibruar të vendit, përmes nismave dhe ofertave që iu përshtaten trendeve aktuale dhe nevojave të biznesit. “Kjo marrëveshje do t’u mundësojë bizneseve në Kosovë të përqendrohen në investime dhe plane afatgjata, e cila është mjaft e rëndësishme duke marrë parasysh se këto biznese kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë”, tha Aliu.

Rreth EIF

Fondi Evropian për Investime (EIF) është pjesë e grupit të Bankës Evropiane për Investime. Misioni qendror i këtij fondi është përkrahja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Evropë duke i ndihmuar në qasjen në financa. EIF harton dhe zhvillon kapitalin e sipërmarrjeve dhe atë të rritjes, garancitë dhe instrumentet mikrofinanciare të cilat synojnë në mënyrë specifike këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF nxit objektivat e BE-së drejt përkrahjes së risive, hulumtimit dhe zhvillimit, ndërmarrësisë, rritjes dhe punësimit.

Rreth Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF)

Instrumenti për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF – Western Balkan Enterprise Development and Innovation Facility) është një nismë e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe ka për qëllim rritjen e burimeve financiare që iu vihen në dispozicion NVM-ve në Ballkanin Perëndimor, si dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin e sektorit privat, zhvillimin socio-polik dhe procesin e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin. Kapitali në shumën prej 145 milionë euro, të cilin BE-ja e ka vënë në dispozicion përmes këtij instrumenti, institucionet financiare ndërkombëtare (IFN-të), përfituesit dhe donatorët bilateral, do të përkthehet në financim efikas e të drejtpërdrejt të mbi 300 milionë eurove për NVM-të në këtë rajon. Instrumenti i Garancisë përbën një shtyllë të ËB EDIF-it dhe ka për synim NVM-të të cilat bartin potencial për t’u zhvilluar, dhe të cilat kanë nevojë të marrin kredi për të mbuluar nevojat e tyre financiare për investime dhe kapital punues.

Ky instrument koordinohet nga Fondi Evropian për Investime dhe është duke u zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). IFN-të, organizatat ndërkombëtare dhe donatorët bilateral të cilët janë aktiv në këtë rajon, si Banka Botërore, DEG, OBEZH, e të tjerë, duke dhënë kontributin e tyre për integrimin e përpjekjeve të tyre në funksion të zhvillimit të sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rreth grupit ProCredit

ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli qendrore në Fankfurt am Main të Gjermanisë, është kompania amë e grupit ndërkombëtar ProCredit, e cila përbëhet nga banka të fokusuara në Evropën Juglindore dhe Lindore që janë të specializuara në ofrimin e shërbimeve për NVM-të. Ky grup gjithashtu operon në Amerikën e Jugut dhe në Gjermani. Aksionarët kryesorë të ProCredit Holding AG & Co. KGaA, janë investitorët strategjikë: Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (të cilën përbëhen nga fonde investuese për anëtarët e personelit të ProCredit-it), Dutch DOEN Foundation, KfW dhe IFC (Grupi i Bankës Botërore). ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret, në cilësinë e kompanisë amë të grupit të ProCredit-it, në baza të konsoliduara, në pajtim e Ligjin për Bankat të Gjermanisë, nga ana Autoritetit Federal Gjerman për Mbikëqyrje Financiare (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) si dhe nga Banka Federale Gjermane (Deutsche Bundesbank). /Telegrafi/