LAJMI I FUNDIT:

18 vdekje për shtatë muaj në vendin e punës, KMDLNJ: Ndërtimtaria – sektori që po rrezikon më së shumti jetën e punëtorëve

18 vdekje për shtatë muaj në vendin e punës, KMDLNJ: Ndërtimtaria – sektori që po rrezikon më së shumti jetën e punëtorëve
Pamjet nga ndërtimet në Prishtinë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në shtatë muajshin e parë të vitit 2023, në Kosovë kanë humbur jetën 18 punëtorë në vendin e punës, kryesisht në ndërtimtari dhe se ky sektor po rrezikon më së shumti jetën e tyre.

Kështu thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke shtuar se për shkak të kushteve të rënduara ekonomike shumë punëtorë detyrohen të punojnë në ato vende pune ku nuk ka siguri.


“Për shtatë muaj të vitit 2023, në vendet e tyre të punës kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 18 punëtorë e që paraqet edhe një numër rekord të pësimeve me fatalitet për jetën. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike shumë punëtorë, ndonëse të pakualifikuar për punën që e bëjnë detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërish të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thotë KMDLNJ.

BSPK u bën thirrje autoriteteve dhe punëdhënësve që të rrisin sigurinë në vendet e punës
Lexo po ashtu BSPK u bën thirrje autoriteteve dhe punëdhënësve që të rrisin sigurinë në vendet e punës

Sipas tyre, kompanitë e ndërtimit po rrezikojnë edhe sigurinë dhe qetësinë e qytetareve, duke punuar edhe gjatë natës.

“Nëse kemi parasysh faktin se Kosova në përgjithësi, kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve, pa mbikëqyrje efektive të institucioneve përgjegjëse atëherë edhe kemi një numër aq të madh të viktimave në vend të punës”, theksohet në reagim.

KMDLNJ pohon se Inspektorati i Punë nuk ka kapacitete t’i mbulojë të gjitha vendpunimet.

Murtezaj: Ndërtimtaria dhe gastronomia, “prodhues” të punëtorëve pa letra
Lexo po ashtu Murtezaj: Ndërtimtaria dhe gastronomia, “prodhues” të punëtorëve pa letra

“Për KMDLNJ-në është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur. Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vendpunimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim dhe pa asnjë dyshim duket se mungon vullneti institucional për përmirësimin e gjendjes”, pohon Këshilli.

Për këtë institucion, është e pabesueshme që askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit.

“Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e Viktimave të Ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit”, shton KMDLNJ.

Prizren, punëtori i ndërtimit gjendet pa shenja jete në vendin e punës
Lexo po ashtu Prizren, punëtori i ndërtimit gjendet pa shenja jete në vendin e punës

Në fund, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thekon se me largimin e qytetarëve drejt vende me kushte më të mira, do të ketë rritje të viktimave në vendet e punës.

“Në mungesë të kapacitetit të mjaftueshëm të Inspektoratit të Punës për të mbuluar të gjitha vendndërtimet, KMDLNJ propozon që vrojtuesit e lagjeve të sinjalizojnë te autoritetet përgjegjëse në rast se mungojnë masat mbrojtëse për punëtorët . Gjithashtu edhe Policia e Kosovës gjatë patrullimeve mund të identifikojë raste të shkeljeve të kushteve të punës”, vijon reagimi.

“Me largimin e punëtorëve drejt vendeve me kushte më të mira të punës si dhe me paga më të larta, KMDLNJ ka frikë se numri i viktimave vetëm sa do të rritet, sa për shkak të mungesës së kualifikimit ashtu edhe shkaku i moshës”, përfundon ky institucion. /Telegrafi/