LAJMI I FUNDIT:

1 maj, protestojnë punëtorët kërkojnë rritjen e pagës minimale

1 maj, protestojnë punëtorët kërkojnë rritjen e pagës minimale

Me moton “1 maj, pak më ndryshe” ka filluar protesta kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale, e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini ka kërkuar para protestuesve nga Qeveria e Kosovës që kërkesat e sindikalistëve të mos mbeten vetëm në letër.


Ajdini tha se paga minimale duhet të rritet pasi edhe shporta e qytetarëve është duke u rritur.

“Fatkeqësisht tek ne shihen gjërat që i kemi punët në rregull, a çdo ditë bërtasim që paga minimale është 130 euro. Edhe pse jemi zotuar që paga minimale duhet të jet 250 euro ajo ka mbeurt vetëm në letër. Kërkojmë nga qeveritarët tanë që kërkesa e sindikalistëve mos të mbeten vetëm në letër. Thërras të gjithë akterët relevant që mund të ndihmojnë në çështjet e punëtorëve, të ju them faleminderit. Paga minimale nuk duhet të jetë 130 euro por ajo duhet të bëhet 300 euro sepse shporta e qytetarit është ngrit”, tha ai.

Sipas tij pensionistët janë duke marr një lëmosh dhe për këtë kanë kërkuar që të rritet skema pensionale, raporton Telegrafi.

“Gjithmonë duhet të jemi unik për realizimin e kërkesave tonë, për të cilat kemi çdo ditë shkelje ligjore. Ata të cilët e shkelin ligjin, kërkojmë nga punëtoret të deklarohen në sindikatë për të gjitha shkeljet që i bëhen në vendin e punës”, ka thënë Ajdini.

Kryetari i BSPK-së, po ashtu theksoi se punëtorët kanë një ‘mal’ me kërkesa andaj siç tha ai duhet të realizohen në plotni.

Edhe nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica, para protestuesve ka thënë se në Kosovë nuk respektohet ligji për punëtorët dhe shteti është i kapur nga politika.

Siç tha ai KEK-u, nuk duhet të jetë në ligjin e pagave pasi ata janë punëtorë të Minierave dhe Termocentraleve.

“Vendet e zhvilluara në botë protestojnë, ndërsa në Kosovë sikur respektohet ligji, sikur jemi shumë të pasur, sikur nuk jetojmë në një varfëri të skajshme…Çdo ditë punëtoret lëndohen dhe vdesin në vendin e punës. Nuk po flas për kontratat e punës sepse ato nuk ekzistojnë fare sidomos në sektorin privat. Ky shtet është i kapur nga politika. Kemi kërkuar edhe para se të bëhet ligji për paga, se kjo korporatë të mos jetë në këtë ligj pasi jemi punëtor të minierave dhe të termocentraleve. Ligji për paga ka dhe defekte të tjera pasi është në kundërshtim me ligjin e punës”, ka thënë Lumnica.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj sqaroi për pushtetarët numrin e vogël të protestuesve që kanë dal sot në këtë protestë.

Ai tha se pushtetarët mos t’i shohin të paktë në numër në këtë protestë sepse sipas tij edhe arsimi me pak e filloi dhe më pas u ngrit i gjithi në këmbë.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të dëgjojnë kërkesat e punëtorëve sepse nesër mund të bëhet vonë.

“Të ju kujtoj institucioneve që mos të na shohin pak sot sepse dhe në arsim filluam me pak dhe duke mos na dëgjuar kërkesat tona i tërë arsimi u ngrit në këmbë. I them qeverisë merru me zërin e punëtorëve se nesër mund të bëhet vonë”.

Ndërkaq, organizatorët kishin përgatitur nga një certifikatë për zyrtarët e vendit ku i vendosën në rrethojat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/