Zyrtarët afganë kanë kritikuar ashpër tërheqjen e pakushtëzuar të forcave amerikane nga vendi, të njoftuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, duke i dhënë fund një misioni dekada të gjatë.

"Kjo është gjëja më e papërgjegjshme, egoiste që Shtetet e Bashkuara mund t'u bëjnë partnerëve të saj afganë", tha negociatori i paqes i qeverisë Afgane në Doha, i cili nuk dëshironte të përmendej me emër.


Ai shtoi se mund të ishte fundi i luftës për Uashingtonin, por që partnerët afganë do të paguajnë çmimin, "Ata mund ta kishin përfunduar këtë më me përgjegjësi dhe me pak më shumë durim", raporton theguardian.

118046119 gettyimages 852855218

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve të martën se Biden vendosi të tërheqë forcat amerikane nga Afganistani në 11 Shtator, saktësisht në 20 vjetorin e pushtimit të SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pas sulmit terrorist në Amerikë më 11 shtator dhe përmbysën regjimin Taliban. Është lufta më e gjatë që ka bërë Uashingtoni.

Aktualisht në Afganistan gjenden rreth 10 mijë trupa të NATO-s dhe vendet partnere, të cilat mbështesin një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike duke trajnuar dhe këshilluar forcat e sigurisë në luftën e tyre kundër ekstremistëve islamikë, të tillë si talibanët. /Telegrafi/