Barcelona ka konfirmuar zyrtarisht largimin e mbrojtësit Inigo Martinez, i cili do t’i bashkohet ekipit të Ligës Profesionale Saudite, Al Nassr, si lojtar i lirë.

34-vjeçari aktivizoi një klauzolë në kontratë që i lejonte të largohej pa dëmshpërblim nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme nga një klub saudit.


Martínez luajti një rol kyç në sezonin e fundit, ku Barcelona fitoi tripletën historike, duke ndihmuar në sigurimin e titujve të La Ligës, Kupës së Mbretit dhe Superkupës së Spanjës.

Largimi i tij është pjesë e përpjekjeve të klubit për t’iu përmbajtur rregulloreve financiare të La Ligës, duke liruar rreth 8.4 milionë euro në hapësirën e kufirit të pagave, çka do të ndihmojë në regjistrimin e afrimeve të reja.

Mbrojtësi tashmë ka udhëtuar drejt Arabisë Saudite për të finalizuar kontratën dhe do të ribashkohet me ish-shokun e skuadrës Joao Felix, si dhe me yllin portugez Cristiano Ronaldo te Al Nassr.

Largimi i Martínez paraqet një sfidë për Barcelonën në repartin defensiv. Ronald Araujo pritet të formojë një dyshe qendrore me talentin e ri Pau Cubarsí, ndërsa trajneri Hansi Flick synon të zhvillojë më tej aftësitë e Araújo-s në lojën me top për të mbuluar boshllëkun e lënë nga veterani spanjoll.

Ndërkohë, klubi po vazhdon bisedimet për rinovimin e kontratës së mbrojtësit Andreas Christensen për të ruajtur thellësinë e skuadrës. /Telegrafi/

telegrafi sport app