LAJMI I FUNDIT:

Zyra Kombëtare e Auditimit: KOSTT-i nuk i ka zbatuar projektet me prioritet në vlerë mbi 20 milionë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit: KOSTT-i nuk i ka zbatuar projektet me prioritet në vlerë mbi 20 milionë euro

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performancës të ndërmarrjes publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).

Krahas të gjeturave, Arben Selimi nga Zyra e Kombëtare e Auditimit gjatë raportimit në Komision, ka thënë se KOSTT-i nuk ka zbatuar projektet me prioritet mbi 20 milionë euro, derisa sipas tij kjo kompani ka realizuar projekte të tjera.


Megjithatë ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT, Sabri Musiqi ka pranuar të gjeturat e raportit të fundit nga ZKA-së për ndryshimin e listës së prioriteteve, me arsyetimin e kërkesave specifike.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti theksoi se janë të përkushtuar në përmbushjen dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga auditori.

Mehmeti tha se disa të gjetura janë adresuar edhe në prokurori. Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka kritikuar KOSTT-in për veprimet.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka kërkuar nga KOSTT që të gjitha të gjeturat të përmirësohen dhe adresohen. Lekaj ka kërkuar po ashtu përgjegjësi edhe për ngecjen e investimeve nëpër nën stacione. Një prej të gjeturave të tjera nga Auditori është avancimi dhe emërimi i disa zyrtarëve të KOSTT pa procedura konkurruese. /KP/