LAJMI I FUNDIT:

Zyra e Auditorit: Konstatohen mangësi në menaxhimin e fondeve në RTK

Zyra e Auditorit: Konstatohen mangësi në menaxhimin e fondeve në RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton se ka konstatuar mangësi në menaxhimin e fondeve publike dhe raportimin financiar në Radio Televizionin e Kosovës.

sot ka publikuar Raportin e Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për vitin 2021 si dhe Raportin e auditimit të performancës me temën “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”.


Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca lidhur me këto raporte ka theksuar se kërkohen veprime të menjëhershme nga RTK-ja për adresimin e rekomandimeve të dhëna.

“Fondet publike duhet të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjshmëri të plotë dhe raportimi financiar duhet të reflektojë prezantimin e drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Radio Televizionit të Kosovës”, ka deklaruar Spanca.

Në raportin “Pasqyrat Vjetore Financiare të RTK, viti 2021” është dhënë opinion i kundërt i auditimit, ndërsa për transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të RTK-së është dhënë Konkluzion i Kualifikuar.

“Çështjet që kanë ndikuar në dhënien e Opinionit të Kundërt kanë të bëjnë me parregullsitë në kompensimin e kontratave, mospranimin e letër konfirmimeve nga furnitorët, mënyrën e trajtimit të pasurive të paprekshme, trajtimin jo të duhur të obligimeve ndaj furnitorëve, pagesa të parregullta për shujtat, etj. Ndërsa, çështja që ka ndikuar në dhënien e Konkluzionit të Kualifikuar ka të bëjë me pagesat e parregullta për shtesat dhe shpërblimet e punëtorëve të RTK-së”, thekson raporti.

“Përderisa çështjet tjera kyçe të menaxhimit financiar dhe kontrolleve, janë shoqëruar me mangësi dhe parregullsi siç janë: mos shpalosja e padive gjyqësore, mos prezantimi i plotë i pasurive në regjistrin e pasurive, etj. Për të adresuar këto çështje, në këtë raport, janë dhënë 17 rekomandime për Bordin dhe Menaxhmentin e Radio Televizionit të Kosovës”, vijon ZKA.

Ndërsa, raporti “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”, ka mbuluar aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Gjithashtu është mbuluar edhe kontraktimi i programeve të prodhuara vendore nga producentë të jashtëm. Ky auditim përfshinë periudhën 2019-2021.

Auditimi ka konstatuar se kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga ana e menaxhmentit, i ka kushtuar Radio Televizionit të Kosovës keq menaxhim financiar në vlerë prej 806,898 euro për tre vite.

Rezultatet e auditimit tregojnë se angazhimi i stafit të rregullt nuk ishte bërë sipas projeksioneve buxhetore dhe nuk ishin respektuar procedurat e rekrutimit.

“Mbi 70 për qind e angazhimeve të punëtorëve janë lidhur për pozita të rregullta pa një proces transparent dhe konkurrues duke mos shpallur konkurs publik, në anën tjetër këta persona nuk kanë gëzuar të drejtat e punëtorëve të rregullt si pushimin vjetor, shujta etj. Sistemimi dhe avancimi i stafit të Radio Televizionit të Kosovës është përcjell me mangësi të shumta, në raste të caktuara duke shpërfillur vendimet e Bordit dhe shkaktuar kosto shtesë. Gjithashtu, nuk është bërë vlerësim i detajuar për nevojat e programeve të jashtme nga drejtorët programor dhe nuk janë marrë për bazë disa nga kriteret për përzgjedhjen e këtyre programeve”, përfundon raporti i ZKA-së.

Me qëllim që RTK-ja të krijojë një sistem të përshtatshëm i cili siguron në mënyrë efektive menaxhimin e stafit dhe programeve vendore, ZKA-ja ka dhënë disa rekomandime për Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së. /Telegrafi/