Kompania rajonale KRM Pastrimi ka bërë thirrje për qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësirat pranë Fusha e Pajtimit, duke theksuar se zona po përballet vazhdimisht me grumbullim të madh të mbeturinave.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kompania ka bërë të ditur se kjo hapësirë pastrohet rregullisht, por pavarësisht kësaj, brenda pak ditësh mbushet sërish me mbeturina të ndryshme.


“E kemi pastruar, e pastrojmë vazhdimisht zonën te ‘Fusha e Pajtimit’, por si duket mbeturinat e amvisërisë, vëllimore dhe inerte vinë nga zona tjera. Brenda javës po mbushet përsëri dhe jashtëzakonisht shumë, edhe nëse e pastrojmë dy herë në javë”, thuhet në reagimin e KRM Pastrimi.

Nga kjo kompani kanë kërkuar nga banorët e zonës që të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë hedhjen e mbeturinave në hapësirat pranë banesave të tyre.

“Kujdes qytetarë, aty jetoni, mos e lejoni hedhjen e mbeturinave në hapësirën para banesave të juaja. Lajmëroni Inspektoratin e Kryeqytetit apo Policinë e Kosovës”, thuhet më tej në apel. /Telegrafi/