Ai në një prononcim për standardi.info ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbledhur emra të dështuar dhe të ricikluar dhe i ka kandiduar për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Zogaj, i cili është njëri nga themeluesit e LDK-së, ka thënë se me këtë veprim reforma nuk është duke ndodhur në LDK.
“Jam i bindur se nuk është në rregull që janë kandiduar këta emra. Kryetari është i pafuqishëm përball këtyre njerëzve dhe reforma nuk është duke ndodhur. Reforma bëhet me analizë më të thellë”, ka thënë Zogaj për standardi.info.


Zogaj është shprehur se Isa Mustafa është i ri në politikë dhe, sipas tij, lideri i partisë i ka mbledhur afër vetës brejtës të fuqishëm që po e degradojnë LDK-në.

Ky zyrtar i LDK-së është ndalur më shumë te Fushë Kosova, të cilën e ka udhëhequr për një kohë.
Ai madje ka thënë se kryetari i tanishëm i Fushë Kosovës që është rikandiduar prapë për kryetar, Burim Berisha, duhet të përballet me drejtësinë për keqpërdorimet që i ka bërë.

“Ai (Burim Berisha), duhet të shkoi në burg dhe jo të rikandidohet sepse e ka shndërruar Fushë Kosovën në depo kooperativash dhe mbeturinash. Ka keqpërdorur ekstremist shumë”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se “për ata që e duan LDK-në është zhgënjyese nominimi i këtyre emrave”.

Zogaj ka thënë se ia jep të drejtën vetit të kritikojë, pasi është njëri nga anëtarët më të vjetër të LDK-së.
“Kam të drejtë të jem kritik sepse nëpër kohëra kam pasur kurajën të merrem me LDK-në dhe edhe sot do të merrem, mirëpo forma ime e kritikës ka të bëj me riciklimin e njerëzve dhe kandidimin e njerëzve që po e dëmtojnë filozofin e LDK-së dhe do ta kritikojë deri në pakufi”, ka thënë Zogaj. /Telegrafi/