Për një shëtitje në rrugët e New York-ut, Zoë Kravitz zgjodhi disa pjesë klasike të gardërobës dhe tregoi një kombinim elegant që mund të vishet lehtësisht nga mëngjesi deri në mbrëmje

Aktorja dhe ikona e stilit Zoë Kravitz shpesh shfaqet me paraqitje të veçanta dhe me shumë karakter, dhe edhe këtë herë nuk bëri përjashtim. Stili i saj shërben si frymëzim për shumë gra, sepse kombinon thjeshtësinë me elegancën urbane. Veshjet që ajo zgjedh janë praktike, të përjetshme dhe lehtësisht të kombinueshme, veçanërisht ky ansambël i fotografuar në rrugët e New York-ut.


Vajza e muzikantit legjendar Lenny Kravitz u shfaq me një kombinim jashtëzakonisht të përdorshëm, i cili përshtatet për gjithë ditën. Bëhet fjalë për tri elemente të modës që konsiderohen klasike të përjetshme: këmisha e bardhë, pantallonat e zeza dhe palltoja e gjatë (baloneri).

Zoë i kombinoi pantallonat e zeza me prerje të drejtë me një këmishë të bardhë, të cilën e kishte mbyllur vetëm me një kopsë. Këmisha binte lirshëm mbi bel, duke krijuar një pamje të relaksuar, por njëkohësisht elegante. Sipër saj kishte veshur një pallto të gjerë me gjatësi deri në mes të pulpës së këmbës, një model shumë praktik për këtë periudhë të vitit dhe që përshtatet lehtë me stile të ndryshme veshjeje, transmeton Telegrafi.

profimedia

Kjo lloj palltoje është një nga pjesët më të preferuara të modës urbane, sepse mund të kombinohet njësoj mirë me veshje elegante, por edhe me kombinime më të thjeshta të përditshme. Pikërisht për këtë arsye, shumë stilistë e konsiderojnë atë një element bazë në garderobën e çdo gruaje.

Pamjen e saj Zoë e plotësoi me çizme të zeza lëkure dhe me një çantë të madhe të zezë YSL Bea, shumë praktike për aktivitetet e përditshme në qytet. Me këto detaje ajo arriti të krijojë një stil urban të rafinuar, të thjeshtë dhe pa teprime, një estetikë që përfaqëson në mënyrë të përkryer elegancën moderne të qyteteve të mëdha.

Ky kombinim dëshmon edhe një herë se moda më e mirë shpesh është ajo më e thjeshta: disa pjesë klasike, të kombinuara me kujdes, mund të krijojnë një pamje të sofistikuar që nuk del kurrë nga moda dhe që mund të kopjohet lehtësisht nga kushdo.

/Telegrafi/