LAJMI I FUNDIT:

ZKA nis publikimin e raporteve të auditimit, gjen parregullsi në menaxhimin dhe kontrollin financiar

ZKA nis publikimin e raporteve të auditimit, gjen parregullsi në menaxhimin dhe kontrollin financiar

Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, njoftoi përmes një konference për media se dje ka miratuar dhe autorizuar dërgimin e 13 raporteve të auditimit në institucionet përkatëse të audituara, prej tyre 11 raporte të auditimit financiar dhe dy raporte të auditimit të performancës.


Sipas Spancës, rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi në menaxhimin dhe kontrollin financiar.

Ajo tha se krahasuar me vitet e kaluara, situata (gjetjet) është edhe më e rënduar. Kjo sipas saj, kryesisht nëpër komuna.

“Parregullsitë janë të hapura pothuajse në secilën cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa: Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për punë dhe detyra të rregullta të organizatës, mangësi në procesin e prokurimit publik, tejkalim i vlerave të kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve, mos pagesa e faturave brenda afatit 30 ditëve, mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve dhe mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione”, tha Spanca.

Ajo shtoi se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëriten çdo vit.

Raportet e kryera të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë publikuar për komunat: Gjilan, Skenderaj, Vushtrri, Kamenicë, Graçanicë, Zveçan, Shtërpcë, Mitrovice e Jugut, Mitrovicë e Veriut dhe Novo Bërdë. Gjithashtu, një raport është dërguar për Ministrinë e Ekonomisë.

Ndërsa raportet e auditimit të performances janë: njëri për “fushën e prokurimit publik në Korporatën Energjetike te Kosovës” dhe raporti tjetër për “Vlerësimin e nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”. /Telegrafi/